Lajme

Vrasja e afrikanit në Itali ngjalli zemërim mes qytetarëve


Vdekja e një emigranti që u sulmua në mes të ditës në Italinë qendrore ka ngjallur zemërim.   

Sulmi ndaj tregtarit rrugor nigerian nga një burrë tjetër në qendër të qytetit Civitanova Marche u kap në video të premten. 

Regjistrimi, thuhet se është bërë nga dëshmitarët pa asnjë përpjekje për të ndërhyrë, tregon viktimën që mbahet përtokë nga një i bardhë.   

Një 32-vjeçar italian është arrestuar si i dyshuar për vrasje dhe grabitje. 

Videoja e sulmit – e cila është shpërndarë gjerësisht në faqet e lajmeve italiane dhe mediat sociale – ka tronditur komunitetin, ku shumë veta theksojnë “indiferencën” e dëshmitarëve. 

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta. 

Thirrje për drejtësi 

Viktima është konfirmuar si Alika Ogorchukwu, babai i dy fëmijëve. Gruaja e tij, e quajtur Charity Oriachi, nuk mundi t’i përmbajë lotët e saj teksa u tha mediave sesi i treguan trupin e burrit të saj të shtrirë në tokë. 

Të shtunën qindra njerëz nga komuniteti lokal nigerian dolën në rrugët e Civitanova Marche, në rajonin Marche, për të kërkuar drejtësi. 

Sulmi është dënuar edhe nga politikanët italianë. 

Enrico Letta, kreu i Partisë Demokratike të krahut të majtë, tha se ajo që ndodhi ishte “tmerruese”.   

“Egërsi e padëgjuar. Indiferencë e përhapur. Nuk mund të ketë justifikim”, shkroi ai në një postim në Twitter. 

Udhëheqësi i krahut të djathtë Matteo Salvini, shprehu gjithashtu zemërim për vdekjen, duke thënë se “siguria nuk ka ngjyrë” dhe “duhet të kthehet në një të drejtë”. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore