Lajme

Vrasja e 30 vjeçarit në Ferizaj, ngritet aktakuzë ndaj një personi


Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Për vrasjen e cila ndodhi me 28 maj të këtij viti në komunën e Ferizajt, Prokuroria Themelore ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit O.J., i cili gjendet në paraburgim që nga muaji maj i këtij viti, për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Përmes komunikatës për media, prokuroria ka bërë të ditur se vrasja ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje për një veturë.

“I pandehuri me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën​ i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç ‘rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë (6) herë në drejtim të tij me armë zjarri”.

‘Si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, me të cilën ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Policia e Kosovës.

Në njoftim është bërë e ditur se i pandehuri posedonte armë pa leje.

“Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Q.J., nga koha e pa përcaktuar e deri me datën 28.05.2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës ‘SAUER model 38H’ e kalibrit 7,65 x 17mm, me një karikator me kapacitet prej (8) tetë fishekëve të kalibrit 7.65x17mm, me të cilën armë kishte kryer veprën penale”.

Vrasja e 30 vjeçarit ishte bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Policia e Kosovës.

Komunikata në fjalë mes tjerash kishte thënë se një njësi e policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare, kanë vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhër verbal “ndal policia” që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhëratë e policisë.

I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që, në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njeri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare , me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit .

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore