Lajme

Vrasja e 22 vjeçarit në Lipjan, të dyshuarit vazhdojnë të jenë në arrati


Vendi i ngjarjes ku mbeti i vrarë 22 vjeçari.

Të dyshuarit për vrasjen e 22 vjeçarit në Lipjan vazhdojnë të jenë në arrati.

Këtë përmes një përgjigje me shkrim e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Lidhur me këtë rast është duke vazhduar ndërmarrja e veprimeve hetimore në mënyrë intensive. Të dyshuarit ende janë në arrati”, ka thënë Ulaj për AP.

Vendi i ngjarjes ku mbeti i vrarë 22 vjeçari.

Çfarë çoi deri tek vrasja e 22 vjeçarit?

Të premten e 5 gushtit në Lipjan kishte mbetur i vdekur një person dhe të plagosur dy të tjetër.

Përmes raportit të Policisë së Kosovës ishte thënë se konflikti kishte filluar mes pesë personave.

“Është raportuar se pas një konflikti verbal dhe fizik, dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë qëlluar me armë zjarri tre viktima meshkuj kosovarë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Ndër të tjera, viktimat ishin dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por 22 vjecari nuk kishte mundur t’i përballoj lëndimet e marra dhe kishte ndërruar jetë.

Vdekja e tij ishte konstatuar nga ekipi mjekësor.

Në vendin e ngjarjes si provë materiale policia kishte sekuestruar tri gëzhoja, një predhë dhe një fragment metali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore