Lajme

Vrasësi serial Charles Sobhraj lirohet nga burgu në Nepal


Vrasësi francez serial Charles Sobhraj është liruar nga një burg në Nepal.

78-vjeëari ka vuajtur një dënim të përjetshëm pasi u dënua në vitin 2004 për vrasjen e një turisteje amerikane, Connie Jo Bronzich, në vitin 1975.

Në vitin 2014, Sobhraj u dënua gjithashtu për vrasjen e shokut të tij kanadez, Laurent Carrière.

Shtetasi francez me origjinë indiane dhe vietnameze, u largua nga një burg i sigurisë së lartë në Katmandu, pas një vendimi të gjykatës që urdhëroi lirimin e tij me arsyetimin se kishte kryer 75 për qind të dënimit.

Dhe se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë.

Ai njihet nga shumë njerëz si një vrasës joshës dhe i pamëshirshëm.

Ai ishte i lidhur me vdekjen e të paktën 20 udhëtarëve perëndimorë në Tajlandë, Indi dhe Nepal gjatë viteve 1970 dhe ’80.

Mirëpo, u bë i njohur si “gjarpri” për sharmin e tij dhe aftësinë për t’iu shmangur arrestimit.

Sohbraj do të ekstradohet sërish në Francë të premten në mbrëmje, ka treguar avokati Gopal Siwakoti, i cili ka ofruar mbështetje ligjore për këtë çështje.

“Ai ka probleme me zemrën dhe dëshiron të bëjë një kontroll shëndetësor përpara se të fluturojë jashtë”, ka shtuar Siwakoti.

Avokati e ka përshkruar gjendjen fizike të tij si “të dobët”, por që ishte i aftë mendërisht.

Sipas tij, qeveria e Nepalit nuk ka qenë “e gatshme ta lironte atë” dhe ishte përpjekur ta kundërshtonte sjelljen e mirë të Sobhraj në burg, por kjo u rrëzua nga gjykatat që miratuan kërkesën e tij.

Jeta e tij është e dramatizuar në një numër dokumentarësh dhe serialesh televizive, më së fundi në dramën e BBC/Netflix “Gjarpri”.

Tanimë ai ka vuajtur një dënim prej dy dekadash burg në Indi për helmimin dhe vrasjen e një turisti francez, Jean-Luc Solomon.

Megjithatë, koha e tij pas hekurave në burg u bë e njohur për luksin në të cilin ai jetonte, duke korruptuar rojet me para dhe gurë të çmuar.

Sobhraj u lirua në vitin 1997 kur u kthye në Francë, por më vonë vendosi të rrezikonte të kthehej në Nepal, duke besuar se ishte i sigurt nga autoritetet.

Megjithatë, kishte ende një urdhër për arrestimin e tij dhe ai u pa nga një gazetar, Joseph Nathan, jashtë një kazinoje, i cili e gjurmoi dhe publikoi fotografinë e tij në gazeta.

Kështu, u kap nga policia në Katmandu pak më vonë.

Në vitin 2004, ai u dënua me 20 vjet burgim të përjetshëm, për vrasjen e Connie Jo Bronzich në vitin 1975 dhe dhjetë vjet më vonë u shpall fajtor për vrasjen e shokut të saj kanadez.

Tani ai është i lirë dhe synon t’i tregojë botës historinë tij me publikimin e një libri.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore