Lajme

Votimet në Veri, ShBA: Disa faktorë politikë s’e shfrytëzuan të drejtën demokratike të ofruar nga Kosova


Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Robert Wood, teksa ka folur për mbajtjen e votimit të dielën për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës, ka shtuar se “ndjen keqardhje” se disa faktorë politikë nuk e shfrytëzuan këtë të drejtë demokratike të ofruar nga Kosova.

“E vlerësojmë angazhimin e Kosovës që të lejojë të gjithë qytetarët në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces. E dimë se nuk ka pasur vendim për shkarkimin e kryetarëve dhe ata mbesin në fuqi, sipas kornizës ligjore të Kosovës”, tha Wood.

Gjatë fjalimit të tij, ka adresuar kritika ndaj shtetit serb të cilit i ka kërkuar që kriminelin dhe terroristin Milan Radojiçiç që e mori përgjegjësin për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, ta sjell para drejtësisë.

“Kanë kaluar 7 muaj nga sulmi paramilitar serb në afërsi të manastirit të Banjës në Veri të Kosovës, dhe Serbia ende s’ka bërë asnjë përparim për të gjetur përgjegjës ata që ishin prapa këtij sulmi, përfshirë edhe liderin e vetë deklaruar të këtij sulmi Milan Radojiçiç”, shtoi.

“Bëjmë thirrje për përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Është kritike po ashtu që Serbia të punojë me KFOR-in për të parandaluar një sulm të ngjashëm si ai i 24 shtatorit”, u shpreh ai.

Diplomati amerikan ka folur edhe për ndalimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi, duke nënvizuar se “ishte shkelje e marrëveshjeve të kaluara, e lirisë së lëvizjes dhe formë e frikësimit të serbëve të Kosovës që marrin pjesë në jetën civile të Kosovës”.

“Dialogu është mënyra e vetme drejt normalizimit dhe rruga drejt institucioneve evropiane për të dyja palët”, ka potencuar Wood.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore