Lajme

Von der Leyen në Kosovë


Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, të hënën do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, në kuadër të një udhëtimi katërditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilës do të qëndrojë edhe në Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe reformat në procesin e integrimeve evropiane.

Shefja e KE-së do të takohet të hënën me Presidenten dhe Kryeministrin e Kosovës – Vjosa Osmani dhe Albin Kurti – ku edhe do të prezantohen detaje për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE). Gjithashtu, pritet të adresohet edhe rrjedha e tensionuar në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në shoqërinë e drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të KE-së, Gert Jan Koopman, politikania gjermane do nis takimin me Osmanin në orën 13:15 pasdite, ndërsa nga ora 14:40 është planifikuar një takim me Kurtin. Presidenca e Kosovës ka njoftuar gjithashtu për një konferencë për media menjëherë pas takimit.

Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosuara në muajin qershor pas përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, por edhe ngjarjeve vdekjeprurëse në fshatin Banjë të Zveçanit dhe procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë eurosh dhe akses në tregun e brendshëm evropian në fusha të caktuara.

Zyrtarja e BE-së të dielën në mbrëmje ka arritur në Maqedoninë e Veriut, duke filluar turneun në Ballkanin Perëndimor. Në Shkup ka takuar presidentin maqedonas, Stevo Pendarovksi dhe gjatë ditës pritet të takohet edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, por nuk janë paraparë takime me drejtuesit e opozitës atje.

Vizita e presidentes së KE-së vjen pas takimeve me liderët rajonalë në Shqipëri në fillim të këtij muaji në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë është mbajtur jashtë kufijve të BE-së, duke përcjellur një mesazh të fuqishëm për zgjerimin e unionit evropian, pas stagnimit dhe sfidave në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

E pas vizitës në Shkup e Prishtinë, bashkëpunëtorja e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, do të vazhdojë në Podgoricë, ku pritet të takohet me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç, por edhe me kryeministrin malazez në detyrë, Dritan Abazoviç, për të diskutuar hapat dhe planet për përparim të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Ndërkaq, pasditen e së martës, ajo do të udhëtojë për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren serbe, Ana Brnabiç, ndërsa të mërkurën, presidentja e KE-së do të takohet në Sarajevë me anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore