Kosova

Von Cramon, liderëve kosovarë: Më shumë vetëpërmbajtje, mirëkuptim dhe dhembshuri  


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ndërsa ka uruar përvjetorin e 16-të të pavarësisë së Kosovës, u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare të shfaqin më shumë vetëpërmbajtje, mirëkuptim dhe dhembshuri me ata të cilët mund të ndihen të privuar quke aluduar në komunitetet, veçanërisht te ai serb.

“I bëj thirrje autoriteteve të Kosovës të shfaqin më shumë vetëpërmbajtje, më shumë mirëkuptim dhe mbi të gjitha, më shumë dhembshuri kur kemi të bëjmë me ata që mund të ndihen të privuar”, tha von Cramon.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në platformën sociale, X, eurodeputetja gjermane ka vlerësuar lartë figurën e ish-presidentit, Ibrahim Rugovës, ndërsa ka thënë se 17 shkurti duhet festuar jo vetëm për suksesin e Kosovës, por edhe qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e njerëzve të saj.

“Më 17 shkurt, unë kujtoj edhe presidentin Rugova dhe vizionin prej lidershipi të tij. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më 2008 është testament i përpjekjeve të palodhshme të Rugovës. Vizioni i tij për një Kosovë demokratike, gjithëpërfshirëse dhe multietnike, ku të gjithë qytetarët jetojnë të lirshëm nga frika dhe diskriminimi, hodhi themelet për shtetin që e festojmë sot”, ka thënë ajo.

“Kur ne angazhohemi për idealet që mbrojti Rugova, kur përpiqemi për Kosovën, ku drejtësia mbizotëron, ku përqafohet multietniciteti dhe ku fryma e pajtimit fiton mbi ndarjen, ne mund të ndërtojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat më të mira të Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore