Zgjedhjet në Kosovë

Vlora Çitaku: Ftoj qytetarët e komunave në balotazh të dalin të votojnë për të zgjedhur udhëheqësit e tyre


Vlora Çitaku, Nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konference për media ftoi qytetarët e komunave të Kosovës, të cilat janë në balotazh, të dalin e ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Çitaku tha se sot është ditë vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të këtyre komunave, qytetarët e të cilave e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë.

” Më 17 tetor, disa prej komunave të vendit përmbyllën garën me sukses në raundin e parë dhe tashmë kanë kryetarët e zgjedhur me votë demokratike për katër vitet e ardhshme”.

“Sot, qytetarët e komunave në balotazh e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre. Andaj, i ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin në mënyrë sa më masive ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të japin verdiktin e tyre se kush dëshirojnë që t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme”, tha ajo.

Çitaku theksoi se të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, gratë dhe burrat e vendit, me votën e tyre sot, do ta fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës duke vendosur për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre.

“Këto zgjedhje janë ekskluzivisht për qytetarët, për të pasur institucione lokale funksionale, të cilat duhet të punojnë për t’i përmbushur kërkesat dhe nevojat e tyre”.

“Nga mijëra aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë të angazhuar në procesin zgjedhor të raundit të dytë në tërë territorin e vendit, vlerësohet se mbarëvajtja e deritashme e procesit zgjedhor po shkon mirë. Dhe shpresoj që në fund të ditës, demokracia të jetë fituesi dominant në këto zgjedhje”, përfundoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore