Lajme

Vizat për Kosovën në agjendën e Parlamentit Evropian më 18 prill


Foto nga arkivi.

Parlamenti Evropian do të votojë për dhënien e të drejtës së qytetarëve të Kosovës për udhëtim pa viza në zonën Shengen më 18 prill.

Kështu është bërë e ditur në agjendën e Parlamentit Evropian.

Më 9 mars, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), përmes një ilustrimi në rrjetin social Facebook, ka treguar për hapat e mbetur drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ka miratuar në lexim të parë vendimin për liberalizimin e vizave.

Kosova ka përmbushur vetëm hapin e parë dhe sipas EPIK, për të marrë liberalizimin e vizave i duhet të përmbushë edhe gashtë hapa të tjerë. Hapi i radhës do të bëhet po në këtë muaj kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të miratojë plotësim-ndryshimin e Rregullores 2018/1806.

Instituti EPIK vlerësoi se plotësim-ndryshimi i Rregullores 2018/1806 duhet të miratohet nga Komisioni për Liritë Civile, Pune të Brendshme dhe Drejtësi (LIBE) në kuadër të Parlamentit Evropian me përkrahje përsëri pothuajse unanime.

Hapi i katërt, sipas EPIK, është ceremonia e nënshkrimit, dhe pastaj vazhdohet me hapin e pestë – publikimi i kësaj rregulloreje në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian – kurse si hapi i gjashtë konsiderohet të jetë hyrja në fuqi dhe në fund lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen.

Më 12 janar të këtij viti Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme i Parlamentit Evropian, në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave, kishte votuar me shumicë dërmuese pro liberalizimit të vizave.

Ekipet negociuese të Parlamentit Evropian dhe kryesisë së Këshillit të Bashkimit Evropian, arritën marrëveshjen për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Institucionet e Bashkimimit Evropian ranë dakord që kërkesa për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024.

Sipas rregullave, qytetarët me pasaporta të Kosovës që udhëtojnë në zonën Schengen pa viza, do të mund të qëndrojnë për 90 ditë, në çdo periudhë 180 ditore. Ndryshe, Kosova ka nisur rrugëtimin e saj drejt liberalizimit të vizave para më shumë se 10 vitesh.

Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe protestat masive në Prishtinë ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore