Muzikë

Viti 2023 shënon moment historik në muzikën e SHBA-ve, këngët në gjuhën spanjolle pushtuan top listat botërore


Një moment historik muzikor i arritur këtë vit zbulon shumë për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ndryshojnë.

Artistet ikonike, Taylor Swift dhe Beyonce mund të kenë qenë yjet e popit që bënë më shumë tituj në vitin 2023. Por, një tjetër moment historik i madh në industrinë e muzikës vlen të përmendet.

Një numër rekord i këngëve në gjuhën spanjolle zbarkoi në listën e Billboard Hot 100 këtë vit, dhe një numër rekord gjithashtu hyri në top 10 të asaj liste.

“Është emocionuese. Nuk mendoja se një ndryshim i tillë ishte i mundur”, thotë Leila Cobo, shefe e përmbajtjes në Billboard për muzikën latine.

Jo shumë kohë më parë, artistëve latinë duhej të bënin albume të përziera në anglisht nëse donin të fitonin audiencë të madhe amerikane.

Tani ekspertët thonë se diçka e rëndësishme po ndryshon. Dhe renditja e këngëve në gjuhën spanjolle nga yje si Bad Bunny, Karol G dhe Peso Pluma zbulon shumë rreth ndryshimeve në industrinë e muzikës – dhe në SHBA.

Transmetimi i muzikës ka ndryshuar lojën

“The Sandpipers”.

Kënga e parë në gjuhën spanjolle që hyri në top 10 të tabelës Hot 100 të Billboard ishte një version i këngës klasike kubane “Guantanamera” e realizuar nga “The Sandpipers”, një grup folklorik amerikan – ishte viti 1966.

Në atë kohë, në Shtetet e Bashkuara jetonin vetëm rreth 8.5 milionë latinë. Tani, ka rreth 64 milionë, që përbëjnë afërsisht 19% të popullsisë së përgjithshme.

Dhe ka shumë më tepër këngë në gjuhën spanjolle që hyjnë në tabelën e Billboard Hot 100, e cila përdor të dhëna nga shitjet, radio dhe transmetimi për të renditur këngët më të mira në SHBA çdo javë.

“Këtë vit, një rekord prej 98 këngësh në gjuhën spanjolle hynë në listën e Billboard dhe gjashtë hynë në Top 10”, sipas Xander Zellner, një analist i lartë i listave dhe të dhënave për Billboard, i cili kohët e fundit analizoi historinë e këngëve jo-anglisht në listë.

“Ky është një kërcim i madh në krahasim me vetëm disa vite më parë. Në vitin 2015, vetëm dy këngë në gjuhën spanjolle hynë në Hot 100”, thotë Zellner.

“Rritja e platformave muzikore të transmetimit dhe përfshirja e tyre në llogaritjet e Billboard, luajti një rol të madh”, thotë Cobo, “dhe po ndryshon mënyrën se si disa e shohin muzikën latine”, shton ajo.

“Njerëzit sillen sikur muzika latine erdhi papritur në ekzistencë pesë vjet më parë, kur jo, ka një biznes të lulëzuar të muzikës latine këtu që ishte gjithmonë shumë i nënvlerësuar. Tani është thjesht e pamundur të injorohet. Është një forcë e madhe”, thotë ajo.

Dhe audienca latine nuk është e vetmja që dëgjon.

“Brezat e rinj nuk i kanë ato çështje: ‘O Zot, është në spanjisht!’ Atyre nuk u intereson”, thotë Cobo.

“Nëse është mirë, atyre u pëlqen. Nëse lidhet me ta, ata e dëgjojnë atë. Muzika është muzikë”, përfundon ajo.

Epoka e ‘kalimit’ mund të ketë përfunduar – artistët po ndjekin një rrugë tjetër

 

Ricky Martin.

Disa nga yjet më të njohur të muzikës latine kanë qenë të ashtuquajturit “artistë të kryqëzuar” të cilët regjistronin në anglisht për të arritur një audiencë më të gjerë.

Mendoni hitin e Ricky Martin të vitit 1999 “Livin’ la Vida Loca” ose këngën e Shakirës të vitit 2001 “Whenever, Wherever”.

“Por një tjetër rrugë drejt yjeve është shfaqur vitet e fundit”, sipas Christopher J. Westgate, profesor dhe studiues i medias në Universitetin Johnson & Wales në Rhode Island.

“Në të kaluarën me artistë të kryqëzuar kanë  pasur një promovim shumë të llogaritur të udhëhequr nga industria e këtyre artistëve. Kjo ishte disi me kalimin e kohës, dhe ju mund ta vëzhgoni atë. Ishte e dukshme. Tani, unë mendoj se është më shumë nga poshtë-lart në krahasim me të qenit nga lart-poshtë”, thotë ai.

“Bad Bunny, për shembull, e filloi nga Puerto Riko, duke blerë ushqime, dhe ai ishte pjesë e skenës muzikore dhe me të vërtetë u bë ylli më i madh i popit në botë”, shtoi ai.

“Artistëve të tanishëm”, thotë Westgate, “nuk u interesojnë presionet e industrisë që i shtynin këngëtarët më parë të regjistronin në anglisht”.

“Shakira mori mësime në gjuhën angleze për të përsosur shqiptimin e saj në mënyrë që të kalonte, ndërsa sot, Bad Bunny ose J Balvin ose Rosalia, nuk u intereson. Ata po regjistrojnë në spanjisht dhe po ecin jashtëzakonisht mirë dhe kaq të suksesshëm”, tha ai.

Ose, siç tha vetë Bad Bunny në një intervistë me Trevor Noah disa vite më parë: “Pse duhet të ndryshoj? Askush nuk i ka (i tha) një artisti gringo që duhet të ndryshosh. Ky jam unë. Kjo është muzika ime. Kjo është kultura ime. Nëse nuk ju pëlqen, mos më dëgjoni. Nëse ju pëlqen, ju e dini.”

Artistët latinë janë të prirur drejt bashkëpunimeve dhe autenticitetit

 

Shakira, Carol G.

Jose Valentino Ruiz, një asistent profesor në Shkollën e Muzikës në Universitetin e Floridës dhe një fitues katër herë i çmimit Latin “Grammy” për punë solo dhe bashkëpunuese, sheh gjithashtu një faktor tjetër që luan në ngritjen e muzikës latine.

“Industria e muzikës latine është më e lidhur dhe më e aksesueshme për të bashkëpunuar sesa burokracia që ekziston me zhanret e tjera”, thotë ai.

“Shumica e artistëve të Amerikës Latine janë në të vërtetë të pavarur, kështu që ata kanë sundim të lirë se me kë duan të krijojnë”, shtoi ai.

“Bashkëpunimet kanë sjellë muzikën latine te një audiencë më e gjerë, të cilët përndryshe nuk mund ta takonin atë”, thotë ai tutje.

Pra, një gjë është e sigurt – dominimi i muzikës latine në botë po shkon duke u rritur me doza të larta dhe mbetet të shihet se me çfarë ritmi do ecën në vitin 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore