Kosova

Vishaj: S’mund të predikohet “zhdukja” e COVID-19


Klinika Infektive.

Drejtori i Klinikes Infektive, Arben Vishaj, ka bërë të ditur se valët e reja të COVID-19 janë vështirë të predikohen, pasi çdo valë e re nuk do të jetë e intensitetit të mëparshëm.

“Është vështirë të thuhet sepse ne nuk mund ta predikojmë, por sido që të jetë Klinika Infektive do të jetë e gatshme të ofrojë shërbim. Ne nuk mund të japim prognozë se a do të përfundojë këtë vit”.

“Edhe këtë valën e fundit që e patëm nuk u manifestua me forma sikurse e kemi pasur variantin Delta dhe jam i bindur se nëse kemi ndonjë valë të re nuk do të jetë e atij intensiteti çfarë e kemi pasur valët e mëparshme”, ka thënë Vishaj për EO.

Tutje, ai është shprehur se doktorët e Klinikës Infektive janë prekur dy herë nga virusi COVID-19, por që të tash gëzojnë shëndet të plotë.

Drejtori i Klinikes Infektive, Arben Vishaj.

“Shumë nga kolegët tanë kanë pasur deri në dy herë që kanë kaluar në infeksion me Covid, por profesioni jonë mbetet i tillë andaj mbetet të shihet në muajt në vijim si do të shkojë situata, por për momentin stafi shëndetësor i Klinikës Infektive është i qëndrueshëm dhe gëzon një shëndet të plotë”.

Ai shtoi se, “këto dy vjet pandemi ne kemi pasur një punë jashtëzakonisht të rëndë edhe në aspektin e ngarkesës psikike por edhe në aspektin e mundësisë për të ardhur deri te mundësia e infeksionit”.

Më 6 mars, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar se brenda 24 orëve, një person ka vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19, derisa janë regjistruar 46 raste të reja.

Numri i të infektuarve vjen nga 1 mijë e 519 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve janë shëruar gjithsejtë 187 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 1 mijë e 136 persona.

Ndërsa janë vaksinuar gjithsej 190 persona.

Ndërkaq, 817 mijë e 235 persona janë vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore