Shqipëria

Viktimat e dhunës seksuale, të zhgënjyera nga sistemi i azilit në Mbretërinë e Bashkuar


Në Mbretërinë e Bashkuar, viktimat e dhunës seksuale përballen me abuzime dhe trauma të mëtejshme si rezultat i procesit të azilit, si dhe shpërfillen sistematikisht nga autoritetet.

Kjo, referuar një hulumtimi të fundit, tregon agjencia e lajmeve “The Guardian”.

Intervistat e azilit të pandjeshme ndaj gjinisë, ngacmimet seksuale, mungesa e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe mbështetjes psikologjike janë vetëm disa nga faktorët që komplikojnë traumën e emigrantëve atje.

Studimi, i kryer nga një ekip hulumtues për dhunën seksuale me bazë gjinore kundër refugjatëve, është pjesa më e madhe e kërkimit akademik të këtij lloji dhe i bën thirrje Zyrës së Brendshme të integrojë ndjeshmërinë gjinore në sistemin e azilit.

Jenny Phillimore, profesor në Universitetin e Birmingham-it që ka udhëhequr studimin, ka thënë se “ka shumë gjëra që mund të bëjmë, të cilat nuk kushtojnë asgjë, ose kushtojnë pak”.

Kështu që, “do të siguronin se mund t’i trajtonim gratë në një mënyrë që nuk do t’i dëmtonte ato për pjesën tjetër të jetës”.

Udhëheqësi ka treguar se “ka një gamë të tërë rekomandimesh, por në fund të fundit, duam një sistem njerëzor azili që nuk i trajton njerëzit ndryshe sepse nuk janë qytetarë të vendit. Kemi nevojë për etikë të kujdesit”.

Disa nga rekomandimet përfshijnë këshillimin para dhe pas intervistës, sigurimin e avokatëve të pavarur që do të marrin pjesë në intervista dhe strehimin e ndarë të azilit për gratë e pashoqëruara.

Gjithashtu dispozitë të veçantë për personat LGBTQI dhe investime më të mëdha në shërbimet e mbështetjes psikologjike.

“The Guardian” dallon se hulumtimi përfshiu intervista të gjera midis viteve 2018 dhe 2020 me 68 azilante, të cilat ishin viktima të dhunës seksuale, si dhe 26 ofrues shërbimesh që punonin me të mbijetuarat.

Ndër to edhe shqiptare.

Hane Leshaj ishte shtatzënë kur u arratis në Britaninë e Madhe pasi u largua nga burri i saj i dhunshëm dhe u refuzua nga familja.

Ajo kaloi gati tetë vjet në sistemin e azilit, u detyrua të zhvendosej tetë herë dhe në një banesë u sulmua fizikisht nga një banor tjetër.

“U deshën 10 ditë që të më transferonin në një vend të sigurt. Të gjitha këto gjëra ndikojnë në shëndetin mendor dhe në mirëqenie”, ka treguar Leshaj, e cila punon për Refugee Women Connect në Liverpool.

“I trajtojnë të gjithë në të njëjtën mënyrë. Duhet të jetë ndryshe, veçanërisht për gratë dhe fëmijët. Nuk po them se procesi nuk prek burrat, por për gratë dhe fëmijët është më keq”, ka theksuar ajo.

Ndërkaq, një hulumtim i mëparshëm ka zbuluar se nga 72 gra që kishin kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar, 66 për qind e tyre kishin përjetuar persekutim të lidhur me gjininë.

Duke përfshirë në to përdhunimin, dhunën seksuale, prostitucionin e detyruar dhe martesën e detyruar, të kryer nga partnerët, anëtarët e familjes, ushtarët, policia apo rojet e burgut.

“Kjo po ndodh në brigjet tona. Gratë që janë në ato varka, shumica dërrmuese e tyre do të kenë përjetuar dhunë seksuale dhe me bazë gjinore”, ka thënë Phillimore.

Profesori ka shtuar se “arsyeja pse shumë prej tyre janë gra është sepse po i shpëtojnë persekutimit gjinor. Kështu që, raporti është jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

Megjithatë, Zyra e Brendshme ka pohuar se “ata që vuajnë nga abuzimi në familje janë viktima para së gjithash, pavarësisht nga statusi i tyre i imigracionit”, tregon “The Guardian”.

Dhe ka siguruar se “do t’u japim ndihmën dhe mbështetjen që ata kanë nevojë dhe që meritojnë. Ndikimet mbi njerëzit e cenueshëm dhe konsideratat e barazisë janë fokusi i punës sonë”.

Gjithashtu zyra ka zbuluar se po prezanton reforma historike përmes projektligjit për kombësinë dhe kufijtë, për të siguruar mbrojtje për më të cenuarit.

“Projektligji ynë i ri është e vetmja mënyrë e besueshme për të rregulluar sistemin e prishur të azilit dhe në qendër të këtij plani është drejtësia dhe ofrimi i mbrojtjes për individët e cenueshëm”, ka theksuar institucioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore