Shqipëria

Vijojnë seancat dëgjimore të kandidatëve për ambasadorë nga MEPJ-ja


Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë vijoi gjatë të hënës seancat dëgjimore për kandidatët për ambasadorë të propozuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

I radhës ishte kandidati për ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Uran Ferizi.

Përfaqësuesi demokrat Tomor Alizoti u shpreh gjatë punimeve se njerëz me formimin dhe eksperiencën e Ferizit do t’i duheshin Shqipërisë edhe këtu.

“Do të ishte mirë të të kishim në politikën shqiptare, se fatkeqësisht truri nga këtu ka ikur. Gjithsesi suksese”, i tha Alizoti.

Vetë Ferizi u shpreh se qëllimi kryesor është përfaqësimi me dinjitet i Shqipërisë dhe përmirësimi i imazhit të shqiptarëve.

Kujtojmë që, marrëdhëniet diplomatike mes vendeve nuk janë në ditët e tyre më të mira prej disa muajsh.

Në fillim të vitit 2023, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Kjo, me qëllim marrjen e një note proteste të ardhur nga Tirana, pas gjuhës linçuese që ministri britanik për Emigracionin, Robert Jenrick, kishte bërë ndaj shqiptarëve më 13 janar.

Jenrick publikoi asokohe një mesazh për ndjekësit e tij në median sociale Twitter, ku në qendrat për “kthimin e emigrantëve”, u bënte thirrje të gjithë autoriteteve britanike, që të “gjejnë shqiptarët, t’i arrestojnë shqiptarët”.

Mbi këtë, ka reaguar ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, më 14 janar, e cila përtej se e ka cilësuar mesazhin shokues, e ka përcaktuar atë si një mjet i përdorur, thjesht për të marrë disa “vota mjerane”.

Ndërtimi i seancave dëgjimore

Më 12 qershor u prezantuan: Blerta Kadzadej, kandidat për ambasadore në Turqi si dhe ambasadore rezidente për Azekrbaxhanin, Iranin, Kirgistanin, Pakistanin, Gjeorgjinë, Afganistanin dhe Kazikistanin, Mustafa Nano, kandidat për Ambasador në Zvicër, Ilir Gjoni, kandidat për Ambasador në NATO dhe Ridi Kurtezi, kandidat për Ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë në seancën e parë dëgjimore më 9 qershor u përfshi nga debatet.

Ish kryediplomati Tritan Shehu u shfaq kritik ndaj listës së emrave të propozuar nga MEPJ-ja për kandidatët për ambasadorë.

“Është një gjë e paimagjinueshme ajo që ndodh me trupin diplomatik. Duhet të kenë 10 vite eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Keni sjellë një listë dhe shoh shumë pak njerëz që vijnë nga trupi diplomatik. Shoh padyshim një handikap në zhvillimin e diplomacisë shqiptare”, u shpreh Shehu.

Më 9 qershor u prezantuan: Meri Kumbe, kandidate për Ambasadore në Shtetin e Izraelit, Zhaklina Peto, kandidate për ambasadore në Malin e Zi, Ervin Bushati, kandidat për ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Vasilika Hysi, kandidate për ambasadore në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara.

Nisja e procedurave

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri nisi më herët procedurat për emërimin e shtatë ambasadorëve të rinj në misione të ndryshme diplomatike.

Emërimi i parë i propozuar është Ridi Kurtezi si kandidat për Ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Zhaklina Peto është menduar për ambasadore në Malin e Zi, ndërsa Adia Sakiqi si ambasadore në Republikën Federale të Gjermanisë.

Diplomatë të tjerë në krye të misioneve do të jenë: Ervin Bushati si ambasador në Shtetet e Bashkuara, Ilir Gjoni në NATO, Vasilika Hysi në misionin e përhershëm të Shqipërisë në OKB dhe Meri Kumbe si ambasadore në Shtetin e Izraelit.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj pohoi më herët se qëndrimi i ambasadorëve shqiptarë në selitë e huaja diplomatike, ishte zgjatur përtej kohës që parashikon ligji i Shërbimit të Jashtëm në Republikën e Shqipërisë.

Por, megjithatë, pavarësisht kësaj, do të duheshin edhe deri në gjashtë muaj të tjerë, për t’i zëvendësuar ata.

Kështu deklaronte ai, i ftuar në emisionin “Pa Censurë” në RTSH.

Lidhur me ambasadorët, Begaj shtjelloi se procedurat ligjore do të ndiqeshin rreptësishtë në këtë proces.

Po ashtu, se është në konsultime të vijueshme me kryeministrin e vendit, Edi Rama, lidhur me emrat e mundshëm, të cilët mund të zëvendësojnë ambasadorët aktualë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore