Lajme

“Vidovdani”, përralla serbe që shkakton luftëra në Ballkan – çka realisht ngjau para 634 vjetësh?


Beteja e Kosovës u zhvillua më vitin 1389, në Fushë Kosovë, saktësisht 634 vite më parë. Ishte një betejë në mes të aleancës ballkanike dhe Perandorisë Osmane, që ishte përmbyllur me fitoren e këtyre të fundit. Përkundër se ballkanasit kishin krijuar një koalicion, historiografia serbe ka tentuar që ta përvetësojë këtë betejë.

Për ta rritur edhe më tej rëndësinë e kësaj dite, siç e quajnë ata Vidovdanin, Serbia e ka shpallur edhe si festë zyrtare nacionale për të gjithë popullin serb 28 qershorin, duke tentuar kështu që ta argumentojnë narracionin e tyre “për të drejtën mbi Kosovën”.

Por, sipas të prononcuarve të Albanian Post, dy historianëve, Muhamet Mala dhe Durim Abdullahu, Beteja e Kosovës nuk e ka atë rëndësi dhe kontekst që përpiqet t’i jap historiografia serbe.

Si ndodhi Beteja e Kosovës, dhe pse serbët përpiqen që ta mitizojnë?

Profesori i historisë, Durim Abdullahu, thotë se “në kronologjinë e betejave ushtarake të ushtrisë osmane që i hapën asaj rrugë për depërtim në Ballkan, Beteja e Kosovës (1389) nuk është as më e madhja as më e rëndësishmja”.

“Shumë më përcaktuese për shtrirjen e osmanëve në Perëndim kanë qenë beteja të tjera si ajo e Maricës (1371) apo e Savrës (1385)”, tregon ai për AP.

Njëjtë si Abdullahu, potencon edhe profesori i historisë së mesjetës shqiptare në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Mala, i cili thotë se në fakt, e vërtata historike është ajo që “është zhvilluar një betejë e zakonshme, e cila për nga rëndësia nuk ka qenë as më e madhe e as më e vogël nga betejat e tjera që janë zhvilluar; si ajo e Maricës, pastaj e Savrës në Shqipëri, beteja e dytë e Kosovës që është zhvilluar më 1448”.

Por, “serbët e kanë përdorur për qëllime politike”.

“Në fakt, historiografia serbe e ka mitizuar dhe e ka bartur prej rrafshit historik në rrafshin mitik, dhe ia ka dhënë karakterin fetar, karakterin hyjnor, duke e tjetërsuar prej realitetit”, thotë ai për AP.

Pohon se kjo betejë nuk ka qenë një betejë në mes të serbëve dhe Perandorisë Osmane, “por ka qenë një betejë e zakonshme që janë zhvilluar në fundin e shekullit XIV, në mes të Perandorisë Osmane dhe koalicionit ballkanik, ku kanë marrë pjesë; shqiptarët, boshnjakët, kroatët, hungarezët dhe vllehtë”.

“Pra me fjalë të tjera të gjithë ata popuj që kanë jetuar në territorin e Ballkanit, të cilët e kanë parë vetën të rrezikuar nga depërtimi i Perandorisë Osmane”, elaboron Mala.

Si u zhvillua beteja e Kosovës?

Historiani Abdullahu tregon se Beteja e Kosovës u zhvillua në verën e vitit 1389, në Fushë të Kosovës dhe “kryesisht njihet nga burimet e kronistëve osmanë dhe të letrave që Mbreti Tvrko I nga Bosnja i ka dërguar Firencës”.

“Në njërën anë ishte ushtria osmane në kuadër të së cilës kishte edhe trupa të dy sundimtarëve serbë Marko Krajleviç dhe Kostantin Dejanoviç. Prijësi i saj Sulltan Murad I Hydavendigar u vendos në qendër, kurse në krah kishte dy djemtë e tij, princat Bajazidin dhe Jakubin”, shpjegon ai.

Tutje, profesori pohon se në anën tjetër, osmanët kishin përballë “një ushtri të përbërë nga aleatë të krishterë, të prirë nga prijësi serb Knjaz Llazar Hrebeljanoviç.

“Në të djathtë të tij ishte sundimtari serb Vuk Brankoviç, kurse në të majtë zotët arbënor Gjergji II Balsha dhe Dhimitër Jonima, si dhe Vlatko Vukoviç që komandonte trupat e Mbretit Tvrko I i Bosnjës”.

Durim Abdullahu

Sa i përket detajeve dhe përmasave që ka pasur kjo betejë, historiani Abdullahu thekson se nuk mund të dihen, pasi që në bazë të burimeve bashkëkohore, të dhënat “janë përgjithësisht fragmentare, por, prej tyre kuptohet përkundër një epërsie të lehtë të ballkanasve, një kundërsulm i Bajazidit shkaktoi panik dhe ushtarët e Vlatko Vukoviç-it u tërhoqën të parët nga fushëbeteja”.

“Përkundër që Mbreti Tvrko I i dërgoi letra Firencës ku ai shpalli fitoren e ballkanasve, me sa duket, edhe pse pa një epilog shumë të njëanshëm ushtarak, beteja u fitua politikisht nga osmanët”.

Sipas tij, jehonë të madhe kjo betejë ka marrë për faktin se në të janë vrarë prijësit e të dy palëve: Llazari serb i ballkanasve dhe Sulltan Muradi I i osmanëve.

“Por qysh atë kohë, Patriarku Danillo III, shkroi një tekst “Tregime për Knjaz Llazarin” dhe pas tij fisnikja Jefimija te ‘Eulogji për Knjaz Llazarin’, kënga ‘Darka e Knjazit’, poema ‘Kunora e Maleve’ e Pjetër Njegoshit III si dhe tekste të tjera u bën burim i artikulimit të një narracioni që ngriti një mit për këtë betejë”.

Po ashtu, ai tregon se “më 1892, Kisha Ortodokse e listoi ditën e Vidit, perëndisë pagane sllave të diellit dhe luftës, si ditë të shënuar në kalendarin e festive ortodokse serbe”.

“Veçanërisht pas pushtimit të Kosovës nga Serbia gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912 – 1913), kjo ditë, pra Vidovdani apo dita e zotit Vid, u bë festë fetare dhe nacionale serbe. Dita e Vidit, 28 qershori, u imponua si datë e Betejës së Kosovës, meqë kjo festë fetare iu ndajshtua kësaj ngjarje historie”.

“Për realizimin e këtij sinkretizmi, u përbashkuar narracioni sipas të cilit, Knjaz Llazari, si një ‘Krisht i dytë’, para betejës, mes një mbretërie tokësore dhe qiellore, zgjodhi atë qiellore, duke pranuar të vetëflijohet dhe me këtë akt, duke themeluar një mbretëri qiellore që ishte një Serbi hyjnore”.

Siç potencon Abdullahu, ky është shpjegimi se si u konstruktua ajo që është quajtur Miti i Betejës së Kosovës, “e i cili është mirëmbajtur gjatë gjithë shekullit të XX, për të kulmuar te manifestimi i vitit 1989 në Mazgit, ku Sllobodan Millosheviç (ish-presidenti fashist serb) me një fjalim kërcënues me tone nacionaliste serbe, hapi overturën e dramës së luftërave në Jugosllavi”.

Si dhe pse e kanë mitizuar serbët këtë betejë?

Sipas profesorit të historisë, Muhamet Mala, “historiografia serbe e ka mitizuar dhe e ka bartur këtë prej rrafshit historik në rrafshin mitik, dhe ja ka jap karakterin fetar, karakterin hyjnor, duke e tjetërsuar prej realitetit”.

Në realitetin historik, tregon ai, kjo betejë ka qenë e ngjashme me betejat e tjera që kanë ndodhur në atë kohë, por serbët e kanë përdorur “për qëllime politike”.

“Pse? Për faktin se serbët çdo herë në territorin e Kosovës kanë qenë pakicë, dhe mungesën e prezencës së popullsisë janë munduar që ta arsyetojnë me argumente të tjera. Ato argumente janë të natyrës ‘historike’, duke e përvetësuar këtë betejë; si vetëm betejë e tyre, për ta treguar gjoja të drejtën historike mbi territorin e Kosovës, kjo pra është arsyeja”, shpjegon ai për AP.

Muhamet Mala

Festimi i kësaj feste nga serbët, sipas Malës është “pikërisht i natyrës politike”.

“Të rralla kanë qenë rastet në histori kur festohet një humbje, mirëpo këta (serbët), këtë e bëjnë për ta amortizuar efektin e humbjes nëpërmjet karakterit hyjnor. D.m.th ne kemi humbur për arsye se e kemi zgjedhur hyjnoren, jo tokësoren, dhe ata e kanë shenjtëruar princin Lazar, që në fakt ata i thonë car (perandor), që është titull i gabueshëm, titull zmadhues, titull glorifikues, por pikërisht me këtë koncept ata e kanë bërë të gjallë atë frymën e nacionalizimit që iu është dashur për ta arsyetuar pushtimin e territorit të Kosovës, dhe mbajtjen nën pushtim të popujve të tjerë”, shpjegon Mala për AP.

“Pra, këta humbjen e kanë shndërruar në një koncept të të drejtës historike, dhe në një koncept hyjnor, sipas të cilës atyre u takon e drejta për ta mbajtur Kosovën. Në këtë koncept ka dhënë kontributin e vet edhe Kisha Ortodokse Serbe”.

Historiani Mala potencon se edhe në ditët e sotme “e shohim se kisha është prezente në të gjitha rrjedhat politike – madje ndonjëherë është edhe më nacionaliste, dhe më këmbëngulëse se sa shumë politikanë serbë sa i përket qëndrimeve lidhur me Kosovën”.

“Pra, ky është konglomerati Kishë-Ushtri. Çdo herë aty ku ka dështuar politika, atë vakum e ka zëvendësuar Kisha, që me veladonin kishtar e ka amortizuar humbjen, sikurse ka ndodhë rasti në Kosovë, dhe e ka vazhduar mitin mbi betejën e Kosovës”.

Ndryshe, këtë vit ceremonia e shënjimit të Vidovdanit, për dallim nga vitet e mëparshme, do të mbahet në Manastirin e Graçanicës. Kjo për shkak se, siç është thënë nga Manastiri i Deçanit, “për shkaqe sigurie”, pas situatës së tensionuar në Veri të Kosovës.

Ndërsa, të martën serbët e Kosovës, gjatë një proteste që mbajtën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë kanë miratuar një deklaratë të ashtuquajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

Aty thuhet se nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saja, serbët në Kosovë do të “detyrohen t’u përgjigjen të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”.

“Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar dhe mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në dokument.

Po ashtu në këtë deklaratë përmendet edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan: a do të kemi Asociacion? Ndryshe, e dimë çfarë të bëjmë”, thekson, mes tjerash, deklarata.

Vidovdanin së fundmi e ka përmendur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, teksa po fliste për situatën e krijuar në Veri të Kosovës.

“Vidovdani është një ditë e rëndësishme në historinë serbe dhe në Vidovdan serbët do të bëjnë gjithçka që munden për të ruajtur paqen, në përputhje me normat ndërkombëtare”, paralajmëronte Vuçiç.

Me këtë deklaratë të Vuçiç-it nuk është i befasuar, profesori i historisë, Durim Abdullahu, pasi që i njëjti thotë se duke pasur parasysh të kaluarën e tij nuk do të ishte ndonjë befasi që të krijonte ndonjë incident.

“Si një ish ministër i Sllobodan Millosheviç-it dhe si një vazhdues besnik i politikave të tij të dikurshme, nuk është jashtë gjasave reale që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç të orkestroi dhe inicoi ndonjë incident në ditën e Vidovdanit”.

Por, përkundër kësaj ai beson që kjo do të jetë më shumë në nivel deklarativ dhe simbolik, siç qe edhe Deklarata e Vidovdanit që u shpall në Graçanicë dhe Mitrovicë.

“Por, në çdo rast, Serbia do të kujdeset që edhe përshkallëzimi të jetë sa më i kontrolluar”, vlerëson ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore