Lajme

Vezë, mish e qumësht të prishura, asgjësohen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë


Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në periudhën janar-qershor të vitit 2021, ka asgjësuar rreth 42 mijë kilogram produkte me origjinë shtazore dhe 40 mijë kilogram me orgjinë bimore.

Sipas zëdhënësit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, janë asgjësuar mish, qumësht e vezë.

“Rreth 42 mijë kilogram produkte me origjinë shtazore ku hyjnë mishi, dhe nën prouktet e mishit,  qumështi dhe vezët, he po ashtu kemi asgjësuar  rreth 40 mijë kilogram produkte me origjinë bimore dhe 72 mijë litra pije të asgjësuara”.

“Por të gjitha janë vlerësuar nga ana e inspektorit që nuk i plotësojnë kushtet për konsum dhe ne në secilin rast kemi vepruar me largim nga tregu pastaj me asgjësim të tyre ndaj palëve të cilat kanë tregtuar produkte të dyshimta gjithmonë iniciohet fletëparaqitja për gjykatë dhe për masën ndëshkimore pastaj vendos gjykata”, ka thënë Thaçi për Ekonomia Online.

Ai ka treguar se rregullat për ruajtjen e produkteve janë strikte.

“Ne asnjëherë nuk lejojmë që produktet të cilat kërkojnë kritere për ruajtjen e vendeve të errëta  nuk duhet t’i nënshtrohen ekspozimit në diell. Ne kemi kryer kontrolle dhe kemi larguar produkte nga shitja pikërisht për arsye se kanë qenë të ekspozuara në diell dhe po ashtu do të vazhdojmë me kontrolle edhe në ditët në vijim kudo që hasim produkte do të largohen nga aty dhe do të bëhet konfiskimi dhe asgjësimi i tyre”.

Sipas Thaçit, ndaj palëve që mbajnë produkte të dyshimta iniciohet procedurë në gjykatë.

“Të gjitha produktet që gjenden në treg duke u shitur i plotësojnë kushtet për konsum sepse në të kundërtën nuk do të gjendeshin në treg, sepse kudo që hasim produkte të dyshimta ato largohen nga ana e inspektoratit dhe asgjësohen ndaj palëve të cilat tentojnë të shesin produkte të dyshimta gjithmonë iniciohet fletëparaqitje në gjykatë”.

Thaçi ka deklaruar se ankesat e konsumatori trajtohet me shpejtësi.

“Ne jemi duke kryer inspektime të rregullta, kemi plane nacionale për kontroll dhe frekuenca e kontrollit bazohet në këto plane. Është mundësia që inspektorët në secilën rast që kanë dyshime ose çdo lajmërim që na vije nga organizata të ndryshme ndërkombëtare mbi dyshimet për produktet të caktuara apo ankesa të konsumatorit ne i trajtojmë me shpejtësi dhe kurdo që vërtetohet që produkti nuk i plotëson kushtet për konsum ai largohet nga tregu dhe asgjësohet”, u shpreh ai.

Ai ka treguar se ka mungesë të inspektorëve në Kosovë dhe kanë kërkuar që të rritet numri i tyre.

“Ne kemi numër të vogël të inspektorëve në gjithë territorin e Kosovës dhe në vazhdimësi kemi bërë kërkesë që të rritet ky numër. Sigurisht që kemi bashkëpunim të mirë me shumicën prej komunave me hapësirat dhe vendet ku ne nuk arrijmë që të kemi kapacitete për të mbuluar atëherë gjithmonë e njoftojmë komunat apo inspektorët lokal për të dalë në teren dhe për të kryer kontrolle”.

“Ne për shumë vite radhazi kemi paraqitur kërkesë për rritje të numrit të inspektorëve në të tri sektorët sepse ka mungesë të numrit të inspektorëve por me këto kapacitete që kemi jemi duke ia dalë mirë”.

Tutje ka thënë se rastet ku hasen produktet pa afat iniciohen për në gjykatë dhe asgjësohen produktet.

“ Ka pasur raste kur kemi hasur në produkte pa afat gjatë kontrolleve zyrtare dhe gjithmonë ndaj palëve ne iniciojmë procedurën e largimit të produktit nga tregu,  asgjësimin dhe lëndën e kompletuar me të gjitha dëshmitë dhe argumentet ne e procedojmë për gjykatë”.

“ Ne kemi një numër të madh të fletë paraqitjeve që kemi dërguar në gjykatë dhe gjykata vendos për masën ndëshkimore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore