Kosova

Veteranët e UÇK-së i kërkojnë Kurtit shkarkimin e Gërvallës


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do t’i kërkoj Qeverisë së Kosovës, shkarkimin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Kërkesën me shkrim drejtuar kryeministrisë, e ka bërë të ditur kryetari i këtij këshilli, Xhevdet Qeriqi.

“I jam drejtuar me kërkesën që të ndërmarrë hapa ndaj Ministres Gërvalla për deklaratat e saj, dhe pres që të marrë përgjigje nga ana e tij”, ka deklaruar ai.

Arsyeja që e ka shtyrë Qeriqin të ndërmarr këtë veprim sipas tij është se Ministrja Gërvalla që nga emërimi në pozitë ka bërë akuza të pavërteta ndaj UÇK-së.

“E kemi parë prej se e ka marrë detyrën dhe paraqitjen e saj në Këshillin e Sigurimeve ku të gjithë vendin tonë e paraqiti si vend kriminal, e detyra e kryediplomates është që ta paraqes vendin sa më mirë”.

Por kjo nuk është hera e vetme kur Gërvalla deklarohet kudndër UÇK-së, ka thënë ai.

“Edhe më herë ministrja ka pasur akuza ndaj UÇK-së dhe për aq kohë sa nuk ka fakte akuzat mbesin të pabaza”.

Akuzat dhe sulmet ndaj UÇK-së i shkojnë për shtati Serbisë sidomos kur nga vet ne po prodhojmë ‘fakte’ dhe ka akuzuar institucionet që s’po merren me krimet që janë bërë nga ana e Serbisë ka shtuar Qeriqi.

“Sulmet ndaj UÇK-së më së shumti i konvenojnë Serbisë pasi vetë ne po i japim material të na sulmoj Serbia pasi institucionet do duhej të merreshin me krimet që janë kryer në Kosovë dhe jo me akuza”.

“Fajtor për të gjitha sulmet janë institucionet e Kosovës që nuk kanë punuar për këtë punë dhe nuk kanë bërë ligj që njerëzit me akuza të pabaza të ndëshkohen”, ka thënë Qeriqi.

Xhevdet Qeriqi vlerëson se institucionet kanë lënë anësh veteranët, madje krejt çka është bërë deri më tani është rezultat i protestave të pareshtura të veteranëve.

“Institucionet e Kosovës kanë bërë pak për veteranët e luftës dhe është dashur të bëhen disa protesta për një ligj për veteranët i cili as sot nuk i plotëson as vlerat minimale të tyre. Pas luftës u harruan veteranët e luftës pasi institucionet u morën me punë tjera dhe u anashkaluan”.

Ndërsa për rastin e fundit të arrestimit të veteranit dhe invalidit të UÇK-së, Faik Fazliu ka thënë se pavarësisht se si u deklarua, janë ndier keq kur kanë pa skena të tilla.

“Ne e pamë se u raportua se zotëri Fazliu e ka sulmuar zyrtarin policor dhe pas pamjeve që qarkulluan u dokumentua e kundërta dhe kjo na bëri që të ndihemi keq pasi të gjithë e dimë që zotëri Fazliu e ka njërën këmbë të humbur në luftë dhe ato pamje nuk ishin të mira”.

“Por, edhe në Policinë e Kosovës e dimë që ka individ që mund t’i bëjnë këto gjëra por shpresoj që kjo të ndryshoj”, ka deklaruar për fund Qeriqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore