Lajme

Vetëm 5 serbë i kanë konvertuar targat nga KM në RKS


Pronarët e makinave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që i lëshojnë autoritetet serbe, nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës, e as të kalojnë kufirin pas 31 tetorit, por nga gjithsej 10 mijë vetura me targa të tilla – aq sa llogaritet të jenë, të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Kosovës tregojnë se vetëm pesë i kanë bërë targat RKS.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se makinat me targat që i lëshon Serbia – që përmbajnë akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, PR, PZ, GL etj. – do të konsiderohen të paregjistruara pas 31 tetorit.

Prej tyre, dy automjete janë riregjistruar në dy komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, dhe nga një në Prizren, Dragash dhe Gjilan.

Kurti i fton serbët e Kosovës t’i largojnë targat e Millosheviçit

 

Më 1 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka njoftuar serbët e Kosovës se kanë afat prej 61 ditësh që t’i konvertojnë targat e tyre në RKS.

Kurti u është drejtuar atyre përmes një video në gjuhën serbe, duke u thënë se “targat janë trashëgimi i regjimit të Millosheviçit”.

“Kjo trashëgimi është një barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar”.

“Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovë. Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2 për qind të tyre”, tha Kurti.

Ai ritheksoi se qytetarët që i ndërrojnë targat, lirohen nga taksa e detyrime tjera që arrijnë vlerën deri në 5,000 euro.

“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, tha Kurti.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Serbia nuk do të heqë dorë nga targat që i lëshon për serbët në emër të qyteteve të Kosovës, e që Qeveria e Kosovës ka dhënë afat deri në fund të tetorit të ndërrohen ato.

“A do të thotë kjo se ne do të tërhiqemi nëse kërcënohen interesat tona jetike kombëtare? Jo, nuk do të tërhiqemi. Ne nuk do të tërhiqemi as me targat KM. Targat KM, sikurse edhe kartat e identitetit të Serbisë në Kosovë, janë dëshmi për ne që shteti i Serbisë është ende i pranishëm në Kosovë”, tha Vuçiç në seancë e Kuvendit të Serbisë, ku po diskutohej për dialogun me Kosovën.

Më 27 gusht, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pati njoftuar se në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet për hyrje-daljet për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë.

Kështu sipas Borrellit, serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.

“BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për këtë”.

Borrell: Kosova dhe Serbia, marrëveshje për dokumentet

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore