Lajme

Vështirë se çështja e targave zgjidhet me 21 prill, ja pse


Ilustrim

Në vigjiljen e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare për çështjen e njohjes reciproke të targave dhe urgjencës së theksuar nga Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit Peter Stano, njohësit e politikave të jashtme shprehin skepticizmin e tyre se Kosova dhe Serbia do të arrijnë të gjejnë një modalitet të përbashkët, i cili rrjedhimisht do të shpie në një zgjidhje të përhershme, ashtu si e kërkon edhe marrëveshja paraprake.

Për ish-ambasadorin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, sipas të gjitha gjasave Kosova dhe Serbia në çështjen e targave do të insistojnë përsëri për një marrëveshje të re të përkohshme, e jo për një marrëveshje të përhershme bazuar në standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian, të cilën e kanë obligim ta nënshkruajnë deri më 21 prill.

“Reagimet e të dy palëve [Kosovë-Serbi] janë një indikacion se as kësaj radhe nuk do të kemi marrëveshje të përhershme, që do të ishte njohja reciproke e targave të të dy vendeve. Modifikimi eventual që do të hiqte simbolet e të dy vendeve nga targat do te thoshte shkelje e standardeve evropiane në këtë aspekt. Andaj, pritet të shihet se çfarë forme do te ketë kjo marrëveshje e re eventuale për targat”, ka thënë Spahiu për Albanian Post.

Avni Spahiu

Në anën tjetër, për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe anëtaren e komisionit për punë të jashtme, Time Kadrijaj, marrëveshja për targat duhet të bazohet në parimin e reciprociteti në njërën anë dhe në kushtetutshmërinë në anën tjetër.

“Qeveria është përgjegjëse për të gjetur një zgjidhje për çështjen në fjalë, marrëveshja për targat nuk duhet ta cenojë ligjshmërinë dhe Kushtetutën e Kosovës. Qeveria gjithashtu është përgjegjëse për ruajtjen e raporteve të mira me faktorin ndërkombëtar dhe posaçërisht me SHBA-të”, ka thënë Kadrijaj për Albanian Post.

Se marrëveshja për targat duhet të jetë e bazuar në parimin e reciprocitetit e thotë edhe ish-këshilltari politik i ish-kryenegociatores së Kosovës, Edita Tahirit, Gazmir Raci.

“Nëse nuk kemi një marrëveshje këtë javë, atëherë gjendja faktike mbetet e njëjtë dhe se targat ilegale do të vazhdojnë të qarkullojnë pa problemë”, ka pohuar ai për AP.

Gazmir Raci

Ndryshe Qeveria e Kosovës, sipas ish-ambasadorit kosovar nuk ka dhënë indikacione se nuk do të pranonte një marrëveshje për targat, që do të ishte në linjë me praktikat e BE-së, por në çdo rast ka insistuar që të zbatohet parimi i reciprocitetit.

“Në veprimet për të vendosur sovranitetin e plotë në Veri dhe për t’u përgjigjur arrogancës politike të Serbisë në këtë pjesë të territorit të vendit, pala kosovare duhet të argumentojë veprimet e veta legjitime në mënyrë që partnerët ndërkombëtarë të mos konsiderojnë veprimet e tilla si veprime jo konstruktive. Kosova në çdo rast duhet të dëshmojë konstruktivitetin e vet në raport me fqinjët”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër ditë më parë optimist për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave ishte shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por ai nuk e kishte mohuar faktin se Policia e Kosovës është e përgatitur për çfarëdo situate në terren, nëse eventualisht të dy palët nuk arrijnë të dakordohen për këtë çështje.

“Jam optimist se marrëveshja do të arrihet, ka një qëndrim shumë konstruktiv edhe të ndërmjetësuesit, por megjithatë për çdo situatë Policia e Kosovës ka plane të saj se si të veprojë, është një angazhim i të gjitha institucioneve të vendit që sovraniteti dhe integriteti i Kosovës të mos bie në dyshim”, kishte pohuar Sveçla.

Pamje nga bllokimi i rrugëve për në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, nga serbët lokal si indinjatë kundër masës së reciprocitet

Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës me letra ngjitëse të bardha mbulohen simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, duhet të zëvendësohet me një marrëveshje përfundimtare deri më 21 prill.

Marrëveshja në fjalë ishte arritur me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur masa reciproke ndaj Serbisë lidhur me targat dhe kjo rrjedhimisht ishte arsyeja që serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan për dy javë rrugët për në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore