Lajme

Vërshime në Gjilan, rëndohet situata në disa fshatra


Reshjet e një nate më parë, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në Kmunën e Gjilanit.

Nënkryetari i kësaj komunë, Arbër Ismajli, ka njoftuar se pas alarmimit të situatës kanë dalë në terren për të parë nga afër situatën e krijuar.

“Unë jam në teren tani duke i parë dëmet të shkaktuara nga reshjet e mbrëmshme, ku dëmet materiale janë të mëdha sidomos në infrastrukturë dhe bujqësi” theksoi Ismajli në një përgjigje për Albanian Post.

Ai bëri të ditur se zonat më të prekura janë Pogragja, Stublina, Kokaj dhe rruga e cila dërgon në Kumanovë. Kjo e fundit pas intervenimeve të njësive përkatëse është bërë e qarkullueshme këtë mëngjes.

Niveli i lartë i ujit ka bërë që shumë familje ë mbeten të ngujuara.

Për të cilat Ismajli thotë se janë kujdesur që ti furnizojnë me ushqime dhe gjëra të nevojshme.

Pas reshjeve të jashtëzakonshme të shiut, Kryetari i komunws Lutfi Haziri ka aktivizuar Shtabin Emergjent.

Në fshatin Pogragjë, është raportuar po ashtu se pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut, ekipet emergjente kanë nxjerrë nga shtëpia nëntë anëtarë të një familjeje, të cilët rrezikoheshin pasi jetojnë pranë lumit.

“Një bravo e madhe për Shtabin Emergjent të Gjilanit. Pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut, ekipet tona kanë nxjerrë nga shtëpia nëntë anëtarë të një familjeje në Pogragjë, të cilët rrezikoheshin pasi jetojnë pran lumit”, kishte shkruar kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në faqen e tij në Facebook.

“Edhe njëherë, kërkoj nga qytetarët të cilët jetojnë afër lumenjve që në rast të përkeqësimit të situatës, të largohen përkohësisht nga shtëpitë e tyre”, ka shtuar ai, duke ua rikujtuar qytetarëve që të lajmërohen në numrat emergjent, pa pagesë, 112 dhe 193, për të kërkuar ndihmë në rast nevoje.

Vërshime nuk pati vetëm në komunën e Gjilanit. Si pasoje e reshjeve të shumta, probleme kishin edhe në komunë e Drenasit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore