Kosova

“Veriu i Kosovës i kthyer nga pavarësia në protektorat”


Ish-Kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Edita Tahiri.

“Policia speciale e Kosovës tërhiqet nga dy pikat kufitare në veri dhe vendosen pjesëtarët e KFOR-it, sipas marrëveshjes së fundit në Bruksel, ashtu siç kërkoi Serbia. Kjo do të thotë se kjo Qeveri aktuale i ktheu dy pikat kufitare nga pavarësia në protektorat ndërkombëtar”.

Kështu është shprehur ish-kryenegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, pas arritjes së marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, lidhur me reciprocitetin e targave.

Sipas saj, nëse Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, vazhdon “të jetë e pa aftë në negociatat e Brukselit, ka rrezik që ta kthejë krejt pjesën veriore në protektorat, që është një synim djallëzor i Serbisë”.

“Në vitin 2011, unë si kryengociatore me qeverinë e asaj kohe vendosëm kufirin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë me marrëveshjen e Brukselit për IBM-in, kthyem policinë dhe doganat shtetërore të Kosovës në këto dy pika kufitare. Ndërsa sot shihni ku jemi, fatkeqësisht, duke rrëshqitur mbrapa në protektorat”, shtoi ajo.

Ndërkaq, ditë më parë, ajo kishte mbështetur vendimin e qeverisë për reciprocitet të targave me Serbinë. Por, pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve në Bruksel, ajo ka potencuar se me përmes këtij dakordimi nuk është mbrojtur sovraniteti shtetëror i Kosovës.

Njesia Speciale e Kosoves ne Veri, pak para largimit

Ajo me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se në vend së të arrihet një njohje reciproke për njohjen e targave të të dyja shteteve, marrëveshja për targat e ka kthyer procesin e dialogut në diçka që kishte ndodhur para pesë vjetësh.

“Në Bruksel nuk u mbrojt sovraniteti shtetëror i Kosovës. Qeveria Kurti me marrëveshjen për targat, ia mundësoi që Serbia të vendosë se kur shkon apo nuk shkon Njësia speciale e Kosovës në veri të shtetit tonë. Derisa me fjalë kjo Qeveri ka premtuar se do të mbrojë shtetin dhe Kushtetutën në dialogun e Brukselit, ajo shkeli Kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës”.

“Po ashtu, në vend se të arrihet njohje reciproke e targave, si rrugë që qon drejt njohjes reciproke mes dy shteteve, ajo e ktheu mbrapa procesin ne diçka qe kishte ndodhur 5 vjet me pare, si një reciprocitet që kishte kuptim në atë kohë, por jo tani kur bisedimet në Bruksel kanë hyrë në fazën e njohjes reciproke”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, me fillim në orën 07:00 mëngjesin e së shtunës, 2 tetor, ashtu siç parashihej me marrëveshjen e arritur në Bruksel, mes Kosovës e Serbisë, Njësitet e KFOR-it janë vendosur në pikat kufitare në Veri të Kosovës, Jarinje dhe Bërnjak.

Ushtaret e KFOR-it ne Veri

Ata kanë zënë vendet ku Njësia Speciale e Kosovës ka qëndruar qysh nga 20 shtatori.

Ushtarët e KFOR-it janë vendosur pikërisht në vendet ku më parë qëndronin njësitë elite të Policisë së Kosovës.

Por si filloi e gjithë kjo?

Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjak, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda territorit të Kosovës.

Pas vendosjes së masave të reciprocitetit, qytetarë serbë u grumbulluan afër pikave kufitare në Veri,  duke i bllokuar rrugët me kamionë si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Barrikadat në Veri, Bërnjak

Protestuesit serb nuk mbetën të vetëm, reagimi i shtetit serb ishte i menjëhershëm.

Serbia, me anë të helikopterëve ushtarak e avionëve të prodhimit rus MIG-29 provokoi situatën në veri të vendit.

Si pjesë e kërcënimeve, Serbia dërgoi një divizion të tankeve në afërsi të kufirit Kosovë – Serbi nga qyteza e Rashkës.

Ndërsa kërcënimet nga Serbia vazhdonin, përbrenda Kosovës, Lista Serbe vendosi billborda në komuna me shumicë serbe ku shkruhej “Mirësevini në Asociacionin e Komunave serbe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore