Lajme

Venezuela nuk ka para për të shtypur para


Inflacioni në Venezuelë ka arritur nivele aq të larta, sa që shteti nuk ka para mjaftueshëm për të printuar para të reja. Shtypja dhe hedhja në treg e kartëmonedhave të reja, kushton shumë!

Pikërisht për këtë arsye, Banka Qendrore e Venezuelës, ka prezantuar tre prerje të reja kartëmonedhash, me vlerë 200 mijë bolivar, 500 mijë dhe 1 milion.

Prerjet e reja të kartëmonedhave venezueliane

Të tre kartëmonedhat kanë të njëjtin dizajn. E vetmja gjë që ndryshon, është ngjyra. Kjo zgjedhje është bërë për të minimizuar kostot e prodhimit.

Me gjithë tentativën për të prodhuar valutë të re, nëse mbledh vlerën e të tre prerjeve të reja së bashku, gjithçka mund të blesh është një kilogram miell.

Arsyeja e kësaj gjendjeje në shtetin e Amerikës Jugore?

Së pari, është varësia që ekonomia e vendit ka nga nafta. Eksporti i arit të zi është parësor për buxhetin e shtetit në Venezuelë.

Mirëpo, me rënien e çmimit, edhe të ardhurat nga shitja janë tkurrur. Rreth 96% e ekonomisë venezueliane varet nga nafta.

Arsyeja e dytë, është fakti se për finanzimin e këtij deficiti të krijuar, Qeveria i ka kërkuar Bankës Qendrore, që të shtypë sa më shumë kartëmonedha. Ndaj, duke shtypur sa më shumë, pavarësisht fitimeve shumë të pakta, sistemi bankar gjendet në kolaps tashmë.

Një tjetër arsye janë edhe sanksionet e vendosura nga SHBA-të. Politika venezueliane nën emrat e Hugo Chavez apo Nicolas Maduro, ka krijuar armiqësi të thellë me amerikanët. Këta të fundit, nën diktatin e superfuqisë, kanë tagrin edhe të sanksionojnë dhe të ndikojnë kështu në ekonomi.

Inflacioni në Venezuelë u rrit me 9 mijë e 585 për qind. Kështu, çmimet u rriten deri në 180 herë më shumë.

Aq shumë, sa tashmë, Qeveria nuk ka para as për të shtypur para të reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore