Lajme

Venecia dëshiron të luftojë turizmin masiv me një tarifë të re hyrjeje


Autoritetet veneciane kanë miratuar një tarifë hyrëse ditore prej 5 eurosh në një përpjekje për të rregulluar grumbullimin e turistëve që vizitojnë qytetin historik të lagunës dhe përpiqen të mbrojnë ekosistemin e tij delikat dhe trashëgiminë kulturore.

Lajmi u bë i ditur nga kompania mediatike “Bloomberg”.

Qyteti do të nisë një program provë të bazuar në tarifa vitin e ardhshëm, i cili do të zgjasë për rreth 30 ditë, kryesisht gjatë periudhave të pushimeve, sipas një deklarate të autoriteteve.

Vizitorët njëditorë më të vjetër se 14 vjeç do të duhet të blejnë një biletë hyrjeje, megjithëse punëtorët dhe banorët e rajonit të Veneto-s do të lejohen të hyjnë pa pagesë.

Turizmi në zonën e Venecias u rrit në tremujorin e parë të këtij viti me rreth 2.5 milionë vizitorë, krahasuar me 1.5 milionë një vit më parë, sipas të dhënave më të fundit rajonale të disponueshme.

Qyteti, i ndërtuar në më shumë se 100 ishuj, ishte kryeqyteti historik i Republikës së Venecias, duke u rritur për t’u bërë një forcë rajonale detare dhe një nga qendrat e para ndërkombëtare të financave në botë përmes Rilindjes.

Kohët e fundit, Venecia ka qenë nën kërcënimin e ndryshimeve klimatike dhe ngritjes së deteve.

Një sistem i shumëpritur portash nënujore tani ndihmon që uji i detit të mos ngjitet në trotuaret e qytetit dhe qeveria i ka ndaluar anijet e lundrimit nga kanalet e brendshme.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të mbrojtur qytetin nga turizmi masiv i cili në disa ditë të vitit e bën atë të pajetueshëm”, tha në një deklaratë të veçantë kryebashkiaku i Venecias, Luigi Brugnaro.

Sistemi i tarifave do të jetë një nga një sërë iniciativash që do të ndërmarrë qyteti për të trajtuar “turizmin masiv”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore