Lajme

Specialja: S’ka kufizime në vizitat private për ish-krerët e UÇK-së – Thaҫi dhe Selimi mos t’i zbulojnë palëve të 3-ta asnjë informacion


Trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen për krime lufte, ka konstatuar që në nuk ka asnjë bazë që të vendosen kufizime në lidhje me vizitat private për të akuzuarit, të ngjashme me ato që u caktuan më 1 dhjetor 2023 në lidhje me vizita jo të mbrojtura.

“Paneli rikujton se, në vendimin e tij, ai refuzoi të miratonte ndonjë masë kufizuese në lidhje me vizitat private. Në lidhje me këtë, paneli konstatoi se nuk ka indikacione se këto vizita private janë përdorur për t’u përfshirë në veprime të pahijshme sjelljen e deritanishme dhe se paneli nuk do të ngurrojë të vendosë kufizime shtesë për vizitat private nëse ndonjë palë përfshihet në sjellje të pahijshme gjatë vizitave të tilla private”, thuhet në vendim.

“Trupi gjykues bëri të qartë se çdo keqpërdorim i një privilegji që lidhet me këto vizita do t’i nënshtrohet përgjigjes së duhur. Trupi gjykues vuri në dukje se nëse është e nevojshme, administratorja ka kompetencë të vendosë kufizime konkrete për vizitë personale dhe rrjedhimisht ka udhëzuar administratoren ta njoftojë trupin gjykues menjëherë në lidhje me ndonjë vendim të tillë, i cili mund të kundërshtohet nga një i akuzuar brenda shtatë ditësh”.

Në vendim po ashtu potencohet se trupi gjykues lëshoi gjithashtu urdhra dhe paralajmërime konkrete për të akuzuarit në veçanti Thaçin dhe Selimin, administratoren, kryembrojtësit për të gjithë të akuzuarit në lidhje me detyrimin e tyre lidhur me informacion konfidencial.

“Paneli përmes kësaj kujton të akuzuarit, në veçanti, zotërinjtë Thaҫi dhe Selimi, për detyrimin e tyre për të mos zbuluar palëve të treta të paautorizuara asnjë informacion konfidencial dhe/ose informacion që mund të çojë në identifikimin e dëshmitarëve të mbrojtur”.

Vitin e kaluar, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kishin aprovuar vendimin e Zyrës së Prokurorisë Speciale, që ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, dhe Rexhep Selimit, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet e tjera.

Paneli i Trupit Gjykues me kryetar gjyqtarin, Charles Smith III, patën ndaluar çdo vizitë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, nga individë, siç e kanë quajtur ata, “të jo-priveligjuar” derisa të vendoset mbi bazueshmërinë e parashtrimeve të ZPS-së.

Pezullohen vizitat dhe çdo komunikim me Thaçin, Veselin dhe Selimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore