Kosova

Vendimi i parë i Lumir Abdixhikut: Të hënën nuk i shkon në takim Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit


Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk do të marrë pjesë të hënën në takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmanin, për bisedime rreth formimit të institucioneve të reja.

“E kam të pamundur për shkak të konsolidimit të organeve tona të partisë së menjëhershme dhe konsultave të brendshme për të marrë pjesë në takimin e nesërm, gjithsesi propozoj të premten si datë takimi”, ka thënë Abdixhiku në një konferencë për medie.

Kurti e Osmani kanë ftuar Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë tjera minoritare në takime të ndara për të folur rreth konstituimit të institucioneve.

Abdixhku kur është pyetur rreth çështjes për votën për president apo qeveri, ai ka thënë se vendimet do të jenë kolektive dhe jo individuale.

“Meqenëse vetëm sa janë certifikuar rezultatet kërkoj mirëkuptim që të themelojmë organet e reja, të zhvillojmë konsultat fillimisht të brendshme sepse vendimet tona janë kolektive dhe jo individuale gjithmonë duke respektuar frymën e konstruktivitetit tonë në skemën politike, të shohim se çka do të mund të bëjmë në këtë drejtim duke marrë parasysh edhe respektin që e tregojnë partitë tjera ndaj LDK-së”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje ai ka theksuar se gjatë mandatit të tij si kryetar i këtij subjekti politik do të ketë një organizim të ri politik të LDK-së.

“Do të shihni një shtrirje territoriale të përgjithshme, një politikë të përgjegjshme që dëgjon zërin qytetarë dhe mbi të gjitha e promovon idenë tradicionale të LDK-së që është e mbështetur në shtyllën e respektimit të shtetit të Kosovës dhe një LDK që ka zë kritik brenda”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Abdixhiku ka thënë se “do të bëjmë përpjekje të jemi parti e madhe sërish, partia e parë, natyrisht kjo rrugë nuk është e lehtë por unë kam bindjen e plotë që këtë rrugë do ta ndjekim në qoftë se i bëjmë hapat si duhet dhe këta hapa do t’i bëjmë nga sot e tutje.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për takim nga kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka certifikuar rezultatin zgjedhor më 13 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore