Kosova

PDK e AAK i përgjigjen pozitivisht ftesës së Kurtit e Osmanit, LDK-ja ende s’kanë vendosur


Partia Demokratike e Kosovës, i është përgjigjur pozitivisht ftesës për takim nga kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.

Kurti e Osmani kanë ftuar Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë tjera minoritare në takime të ndara.

“PDK do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi për Albanian Post.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Vetëvendosja lidhur me formimin e institucioneve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Nënkryetari i saj, Ardian Gjini, pas mbledhjes së partisë tha se janë konsultuar dhe kanë vendosur për këtë.

“Kryetari dhe Aleanca do të marrin pjesë në takim”, tha ai.

Megjithatë, Gjini tha se nuk ka ende ndonjë vendim se a do të jenë pjesëmarrës në seancën për votimin e presidentit.

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar për KP se “LDK gjithherë ka qenë e hapur për biseda dhe dialog”.

“Nuk jemi barrikaduar si të tjerët dhe nuk i kemi gjuajtur të tjerët me gazë e me molotov, kur është dashur të bisedojmë”, potencoi Mustafa.

“Kuvendi është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë renditur të parët. Nuk shoh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit. Por, se kur LDK do të jetë e gatshme të marrë pjesë nuk mund të flas”.

Kurti dhe Osmani në letër thonë se ftesat po i bëjnë me qëllim procesi i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e vendit.

“Është shumë me rëndësi që të procedohet tutje me formimin e institucioneve që reflektojnë vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje, sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare nga ana e KQZ-së”, thuhet në ftesën dërguar këtyre partive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore