Shqipëria

Vendimi i Kushtetueses për Xhaçkën ishte i pazbatueshëm, thotë Rama


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka, ishte i pazbatueshëm.

Sipas Ramës, votimi në parlament nuk ka të bëjë me personin, por me faktin që ekspertët e kanë këshilluar se vendimi i Kushtetueses nuk mund të zbatohej.

“Gjykata është rojtare e Kushtetutës dhe ka të drejtën të ndërhyjë në çdo nismë të kthyer në ligj që cenon Kushtetutën, por nuk ka detyrë, as të drejtë dhe as mundësi që t’i thotë parlamentit sesi duhet të votojë”, tha Rama për “Report Tv”.

Kjo sepse për Ramën, parlamenti është sovran e nuk funksionon dot kështu.

“Kushtetuesja e kishte çështjen dhe nuk dha vendim – për heqje ose jo të mandatit – nëse do ta kishte dhënë do të ishte e padiskutueshme zbatimi i vendimit”.

Çfarë ndodhi në seancën e 11 prillit

Mandati i Olta Xhaçkës nuk do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim në themel.

Kështu është vendosur me votat e Parlamentit, ku deputetët socialistë e kanë “shpëtuar” kolegen e tyre, me 72 votat e tyre kundër.

Nga ana tjetër, 39 vota pro këtij projektvendimi kanë qenë nga opozita për dërgimin e Xhaçkës në Kushtetuese, por të pamjaftueshme për të dërguar mocionin lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të saj në organin më të lartë ligjor në vend.

Vetë Xhaçka, ka mbajtur fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, duke mbrojtur kauzën e saj.

Xhaçka ka theksuar se familja e saj dhe bashkëshorti, Artan Gaçi nuk kanë përfituar asgjë, duke thënë se akuzat janë shpifje.

Ish-ministrja tha se kompania e Gaçit ka marrë statusin e investitorit strategjik njëjtë si shumë investitorë të tjerë, ndërsa tha se nuk ka pasur asnjë shkelje.

Ajo theksoi se Kuvendi s’ka çfarë të votojë sot, pasi Gjykata Kushtetuese e ka thënë se nuk është në konflikt interesi.

“Për t’i vënë kapakun, nga leckat e topit të opozitës diskutohet sikur do të votohet sot për të më mbajtur në këmbë apo jo. Çështjen time GJK e ka pushuar. Meqë në këtë absurditet, u arrit për shkak të akuzave të ngritur ndaj meje, dhe votimi sot lidhet me mandatin tim, nuk do komentoj dhe kolegët le të diskutojnë e të e vendosin të lirë”.

Ndër të tjera, ka pasur dhe akuza të drejtëpërdrejta për Gazment Bardhin.

“U bë një kohë shumë e gjatë…Përmbaje Gazin të lutem. U bë një kohë e gjatë shpifje, je një gënjeshtar i rëndomtë. Shpifje. U bë një kohë e gjatë që emri im lidhte me paligjshmëri dhe abuzim me mandatin e deputetes. Nuk jam përgjigjur, jam menduar të rri në këtë detyrë apo të iki, të merrem me politikë apo të dorëzoj mandatin dhe të shpëtoj nga ky linç, ku faktet janë interesa politike e mediatike. Jam menduar se ku kam gabuar për të mbajtur në kurriz këtë furi balte, as kam ushtruar influencën time për të përfituar asgjë nga ato që janë bërë fakte të kryera, as nuk kam përfituar asgjë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore