Lajme

Vela: Grupet kriminale në Veri po përgatisin lista për t’i çuar serbët në tubmin e Vuçiç-it


Blerim Vela

Blerim Vela – shefi i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se grupet kriminale serbe në Veri të Kosovës po përpiqen që t’i detyrojnë serbët e Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që do të mbahet me 26 maj.

“Grupet ilegale dhe kriminale të Serbisë në veri të Kosovës janë në përpjekje për të detyruar pjesëmarrjen e lartë të serbëve vendas në tubimin e Vuçiç-it të 26 majit në Beograd”, shkroi Vela.

Ndërkaq, ai shpjegoi edhe mënyrat se si parashihet që të detyrohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në tubimin e presidentit serb.

“Përgatitja e listave të të gjithë personave që do të udhëtojnë; Marrja me qira e të gjithë autobusëve që janë në dispozicion në veri; Pushimi vjetor i anuluar i punëtorëve”, elaburoi ai.

Tutje, Vela tha se Vuçiç dhe vartësit e tij vazhdimisht trumbetojnë “se serbët vendas në Kosovë janë ‘të rrezikuar nga shqiptarët’, mirëpo ata nuk e kishin problem t’u drejtoheshin kompanive të autobusëve në pronësi të shqiptarëve për të transportuar njerëzit në Beograd”.

“Serbia është një vend farsë dhe një fasadë e një demokracie që glorifikon intimidimin”, përfundoi ai.

Ndryshe, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, para disa ditësh ka ftuar të gjithë qytetarët serbë që të marrin pjesë “në tubimin më të madh të mbajtur ndonjëherë në Serbi më 26 maj”, sipas tij “një ditë para vendimeve të mëdha dhe të rëndësishme për Serbinë”.

Vuçiç kishte thënë se takimi do të mbahet para Kuvendit Kombëtar në Serbi ose në Sheshin e Republikës në Beograd më 26 maj pasdite.

Ndërsa, tha se ky tubim është për shkak të dy ngjarjeve tragjike që ndodhen brenda dy ditëve në Beograd.

“Trishtim për fëmijët e humbur, pikëllim për njerëzit e humbur, njerëz të mrekullueshëm që nuk kishin asnjë faj”, tha ai.

Ky tubim vjen pas disa protestave masive që opozita në Serbi i ka mbajtur pas këtyre dy ngjarjeve tragjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore