Lajme

Vdes komando holandez pas të shtënave në hotelin amerikan


Një komando holandez ka vdekur nga plagët pasi u qëllua gjatë kohës që nuk ishte në detyrë jashtë një hoteli në Shtetet e Bashkuara.

Ai ishte një nga tre ushtarët holandezë, të cilët u plagosën gjatë të shtënave në orët e para të së shtunës.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi britanik “BBC”.

Sipas Ministrisë holandeze të Mbrojtjes, dy viktimat e tjera janë të vetëdijshme dhe mbeten në spital në gjendje të qëndrueshme.

Policia beson se të shtënat pasuan një trazirë të mëparshme në qendër të Indianapolis-it, por parashtroi pak detaje.

Agjencitë ligjzbatuese të qytetit janë ende duke hetuar dhe deri më tani nuk kanë raportuar për ndonjë arrestim.

Një deklaratë e mëparshme e policisë tha se detektivët nuk besonin se ishte një “akt i rastësishëm”.

Sipas mediave lokale, incidenti ndodhi rreth orës 03:30 të shtunën jashtë hotelit “Hampton Inn”, ku po qëndronin tre ushtarët.

Zyrtarët besojnë se të shtënat pasuan një grindje të mëparshme, duke përfshirë një ose disa persona të tjerë në një vend tjetër në qytet.

Të tre ushtarët ishin anëtarë të Korpusit Komando, një nga njësitë e operacioneve speciale në forcat e armatosura të Holandës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore