Shqipëria

Vdekja e Lear Kurtit ka ardhur nga mbidoza e kokainës, konfirmon ekspertiza mjeko-ligjore


Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se vdekja e Lear Kurtit ka ardhur nga mbidoza e kokainës dhe jo nga akte të kundërligjshme të efektivëve të Policisë së Shtetit.

Kështu shkruhet në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria e Tiranës, pas administrimit të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, mbi çështjen e të riut, i cili më 19 tetor ndërroi jetë pas shoqërimit në komisariatin numër 3 të Policisë së kryeqytetit.

“Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake”.

Kështu shkruhet në aktin e ekspertimit.

Më datë 24 tetor, organi hetimor njoftoi se ka hapur zyrtarisht një çështje për hetimin e ngjarjes, që lidhej me Kurtin.

Në terma të gjerë, procedimi penal ishte i lidhur me veprat penale “Kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “Mosdhënie ndihme”, kundrejt efektivëve dhe mjekëve të përfshirë në ngjarje.

Stafi mjekësor i QSUT-së, po ashtu, është marrë në pyetje lidhur me rastin.

Ekspertimi fillestar kimik është kryer nga një grup me pesë ekspertë, i cili ka konstatuar gjetjen e një qeseje me mbetje të lëndës narkotike kokainë, në stomakun e viktimës.

Kjo gjë, e shtyn organin hetimor të mendojë se Kurti ka gëlltitur qesen, gjatë kohës që ka qenë në ndjekje nga Policia, për rreth 200 metra, siç është bërë me dije më parë nga strukturat e rendit.

Ndërsa, tashmë, ky fakt është konfirmuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore