Shqipëria

Vdekja e 3-vjeçarit në Fier, edukatorja letër Gjykatës: Nuk mund të jem në seancë, jam e ngarkuar psikologjikisht


Edukatorja e fëmijës 3-vjeçar që humbi jetën në Fier, Redina Binjaku, e cila akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave në punë nga Gjykata e këtij qyteti, nuk ka qenë e pranishme në seancë.

Ajo është përfaqësuar nga avokati i saj mbrojtës, i cili është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg për 30 ditë” për klienten e tij.

Në një letër drejtuar Gjykatës, ajo ka dhënë dhe arsyet e vendimit të saj, duke thënë se ndihet e ngarkuar psikologjikisht për shkak të ngjarjes.

“Unë, shtetasja Redina Binjaku, mora njoftim për seancën gjyqësore të datës 11 janar 2022, ora 10:00. Në radhë të parë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të miturit Noah Kodheli. Jam shumë e ngarkuar psikologjikisht prej situatës në të cilën ndodhem. Për këtë shkak nuk mund të marr pjesë në zhvillimin e seancës për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal”, shkruan ajo.

Familjarët, nga ana tjetër, gjatë ditës së djeshme, kanë protestuar përpara Prokurorisë së Fierit, duke kërkuar që të zbardhet ngjarja.

Familjarët e 3-vjeçarit

​“Jemi drejtuar para Prokurorisë së Fierit për një hall që mos i ndodhtë askujt, asnjë prindi. Kemi çuar fëmijën në çerdhe, si të gjithë fëmijët e tjerë, dhe na vjen lajmi që na ishte mbytur”.

Kështu deklaruan ata për mediat.

Ndërsa mamaja e 3-vjeçarit ka kërkuar që drejtësia të vihet në vend, duke hedhur akuza ndaj punonjësve të kopshtit se po mundohen të fshehin situatën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore