Shqipëria

Vazhdon “tradita”, deputetët e Berishës përplasje të ashpër me Gardën


Siç është kthyer në “traditë” tanimë, deputetët e opozitës kanë shkaktuar kaos ende pa nisur seanca plenare.

Kësaj here përplasjen e kanë pasur me Gardën, në dyert e Parlamentit.

Kjo, pasi deputetët e përjashtuar nuk janë lejuar të futen në sallë.

Ka qenë deputeti Flamur Noka, i cili nga pamjet shihet duke u shtyrë me punonjësit e sigurisë. Noka ka tentuar që të largojë me dhunë punonjësin e gardës.

Noka po ashtu në tentativë për t’u futur brenda në parlament ka thyer xhamin e derës së Kuvendit.

Ndërkohë, deputeti Dashnor Sula – si një përsëritje e pamjeve të herëve të kaluara – ka tentuar që të kapërcejë rrethimin e gardës në mënyrë që të futet në kuvend.

Ai është hedhur mbi punonjësit dhe ka tentuar të futet brenda ambienteve të Kuvendit.

Nga ana e deputetëve ka pasur pretendime se kjo që po bëhet është “çmenduri” pasi nuk po lejohen të futen në seancë dhe deputetët që nuk janë të përjashtuar.

Të përjashtuar pas kaosit të krijuar në Kuvend – 13 deputetë të opozitës të grupimit Bardhi-Berisha – janë mbledhur rreth oborrit të parlamentit.

Ata po tentojnë të futën në Kuvend me forcë.

“Çdo gjë do ta shikoni vet me sy. Nuk është koha e fjalëve, por e veprave”, ka thënë Sali Berisha, i cili është ndër deputetët e përjashtuar.

Deputetët e përjashtuar janë Gazment Bardhi, Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Ervin Salianji, Bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Lefter Gështenja, Isuf Çelaj, Luan Baçi dhe Xhelal Mziu.

Sa i përket ditës së sotme, në Kuvend ishte parashikuar miratimi i marrëveshjes për emigrantët me Italinë, por Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim padinë e deputetëve Berisha-Bardhi duke pezulluar ratifikimin në Kuvend deri me daljen e një vendimi.

Lajm në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore