Lajme

Vazhdon në Gjykatën e Sarandës afera e mashtrimit të dy investitorëve nga Gjakova – të gjitha hallkat e sistemit të përfshira


Foto nga vendosja e mases se sigurise

Pas shkrimit të botuar në „Albanian post“ të datës 19 shkurt 2024 mbi rastin e mashtrimit të dy investuesve nga Gjakova, gjykata e Sarandës nuk ndërmori masat e duhura ligjore për mbrojtjen e investuesve të dëmtuar, por vazhdon me mbështetjen e skemës mashtruese. Për më shumë ka baza për dyshime se gjykatësit dhe ekspertët e këtij rasti janë pjesëmarrës në mashtrim dhe të korruptuar.

Investuan qindra mijëra euro, si u mashtruan dy investuesit kosovarë në Sarandë

Gjykata e Sarandës i ka aktive dy padi rreth lokalit në pronësi të Shkëlqim Muskajt, në të cilin dy investues gjakovarë, Arsim Nelrexhepi dhe Mithat Këpuska, kanë investuar mbi 150 mijë euro për meremetimin dhe pajisjen e restauronit Gjakova, për çka e kanë kontratën valide deri në vitin 2027, por që nga viti 2022 atyre u pamundësohet shfrytëzimi.

Nga viti 2022 dy investues nga Kosova kanë ngritur padinë penale kundër pronarit Muskajt për pamundësimin e shfrytëzimit të lokalit që, sipas kontratës së noterizuar, e kanë marrë për të hapur restorantin Gjakova.

Kontrata është e vlefshme deri në viti 2027.

Pas padisë Gjykata mori menjëherë masën e sigurisë ndaj lokalit që pronari të mos bëjë asnjë punë dhe të mos largojë dhe dëmtojë pajisjet që u investuan nga gjakovarët. Gjykata e kishte caktuar edhe një ekspert për ndërtimtari, me emër Petraq Kote, i cili e kishte për obligim që brenda një muaji të dorëzojë në gjykatë vlerësimin e investimeve dhe të dëmeve që u shkaktuan nga ndërhyrja arbitrare e Shkëlqim Muskajt te prona të cilën me kontratë ua ka dhënë në shfrytëzim për 8 vjet, dhe që është parapaguar në tërësi.

Eksperti Petraq Kote gjatë vitit 2023 për 6 seanca të gjykatës ku është dashur të shqyrtohet padia penale e gjakovarëve, nuk e ka dorëzuar ekspertizën, prandaj Gjykata nuk mund të merrte vendim në favor të investuesve.

Sjellja e ekspertit dhe moszëvendësimi i tij, është pjesë kundërligjore e skemës së mashtrimit.

Në ndërkohë, siç ka raportuar Albanian Post, në korrik të vitit 2023 familjarët e pronarit Muskaj, gruaja dhe djali i tij, kanë dorëzuar në Gjykatën e Sarandës një padi kundër Shkëlqim Muskajt dhe dy gjakovarëve me pretendimin se kontrata për shfrytëzimin e lokalit është bërë pa dijeninë e tyre, andaj kanë kërkuar anulimin e kësaj kontrate.

Për çudi, gjykatësja Suela Xhani, që ndërkohë, në afatin rekord ishte transferuar me detyrë të re në Durrës, merr vendim për pezullimin e kontratës duke e cilësuar si absolutisht të pavlefshme edhe pse kohëzgjatja e saj është deri në vitin 2027, madje e paguar paraprakisht në tërësi.

Çudia tjetër është se për këtë padi dhe vendimin e pezullimit investuesit gjakovarë plotë 7 muaj nuk kanë qenë fare në dijeni.

Gjykata nuk ua ka dërguar njoftime personale dhe nuk e ka njoftuar as avokatin e tyre në lëndën e padisë penale që po shqyrtohej në të njëjtën gjykatë nga viti paraprak.

Investuesit me vendimin absurd të gjykatëses Suela Xhani urdhërohen që të dorëzojnë dhe lirojnë lokalin… në bazë të kontratës.

Për vendimin me të cilin pezullohet kontrata e tyre me Muskajn gjakovarët u informuan rastësisht nga një i njohur nga Saranda, disa ditë para skadimit të afatit për ankimim.

Ata arritën me kohë të dorëzojnë ankimin, ndonëse pas ca ditësh kuptuan se edhe te kjo procedurë e ankimimit ka pas ndërhyrje obstruktive nga ana e kryesekretes së Gjykatës së Sarandës, Nexhmije Zeneli, e cila nuk e kishte dorëzuar në tërësi dosjen e parashtruar ankimimit, duke i larguar arbitrarisht nga dosja dokumentet më të rëndësishme!

Pasi që është dorëzuar dhe plotësuar ankimimi i verdiktit për pezullim të kontratës, dha pasi që në Albanian Post u botua artikulli që denonconte mashtrimin e investitorëve nga Kosova, Gjykata e Sarandës merr disa vendime që krijojnë dyshime për vazhdimin e kurdisjeve të rastit nga ana e zyrtarëve të gjykatës.

Seanca e 7 mbi padinë e Nelrexhepit dhe Këpuskës, që është dashur të mbahet me 20 shkurt 2024, një ditë para skadimit të afatit për ankimimin e vendimit të gjykatëses Xhani, nuk u mbajt, por u caktua një datë tjetër me 18 mars 2024, ndërkaq që edhe seanca për shqyrtimin e ankimimit është shtyrë për 19 mars 2024, çka tregon se gjykata e Sarandës është e vetëdijshme se këto dy padi janë thelbësisht të ndërlidhura, dhe se pa vendimin e prerë për vlefshmërinë e kontratës 8 vjeçare, as që ka kuptim dhe efekt vendimi për padinë e gruas dhe djalit të Shkëlqim Muskaj.

 Padia për anulimin e kontratës nga familjarët as që është dashur të merret në konsiderim, të paktën jo në lidhje me të drejtën e Nelrexhepit dhe Këpuskës. Gjakovarët kanë investuar shumë lekë në bazë të një kontrate të noterizuar shumëvjeçare, dhe si pasojë e obstrukcioneve arbitrare të Muskajve, gjykatësve dhe ekspertëve mashtrues, tashmë kanë pasur dëme bukur të mëdha në biznesin e tyre.

Ligji është padyshim në anën e tyre.

Investuan qindra mijëra euro, si u mashtruan dy investuesit kosovarë në Sarandë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore