Kosova

Vazhdon kërkimi i personave të pagjetur në Kishnicë dhe Dragodan


Foto: Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Kosovë, ka njoftuar se ekipet e tyre janë duke vazhduar gërmimet në Kishnicë dhe në Dragodan të Prishtinës këtë javë.

Lajmin e ka bërë të ditur Komisioni përmes një komunikate të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’.

“Ekipet tona po vazhdojnë punën e tyre në teren. Krahas gërmimeve në lokacionet tjera, si Podujevë dhe Kamenicë, këtë javë ekipet po vazhdojnë gërmimet edhe ne Kishnicë dhe në Arbëri (Dragodan) te Prishtinës”, thuhet në njoftimin e Komisionit.

Tutje nga Komisioni është thënë se kjo çështje mbetet si njëra ndër më të rëndësishmet në Kosovë.

“Zbardhja e fatit të personave të zhdukur mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në vendin tonë, dhe njëkohësisht një tregues i qartë i mohimit të vazhdueshëm të krimeve nga ana e Serbisë”.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

S’i besohet Lajçakut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore