Lajme

S’i besohet Lajçakut


Një bilbord ku janë shkruar emrat e personave të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë. Foto: Valdrin Xhemaj.

Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, tha të martën mbrëma në një intervistë se palët janë “vetëm edhe dy fjalë larg” arritjes së Marrëveshjes për të Pagjeturit e luftës së fundit, por Bajram Qerkini, drejtues i shoqatës “Zëri i Prindërve” që merret me rastet e personave të zhdukur në luftë, s’i beson aspak diplomatit sllovak.

Në një prononcim për Albanian Post, pohon se të njëjtat fjalë ka tash e dy dekada që i dëgjon, prandaj, ndaj të tillave është fort skeptik, edhe kur thuhen kështu publikisht siç bëri Lajçak.

Ai thotë se megjithatë e ka përcjellur intervistën e Lajçak-ut, në Radio Televizionin e Kosovës, dhe “asnjë fjalë nuk ishte më ndryshe sesa në takimet që i kanë zhvilluar deri tani”.

“Para një muaji, Lajçaku ka qenë tek unë në zyre në Prishtinë ku kemi biseduar për çështjen e të pagjeturve dhe mund të them  që fjalët e tij të cilat i kam dëgjuar mbrëmë janë edhe të ateherëshit”.

“Vetëm ajo fjali që thotë politika i ka fajet dhe e ka shtyrë procesin që të mos mbahet takimi deri në fund të muajit gusht ose në fillim të muajit shtator do të thotë edhe kjo është e dyshimtë për neve familjarëve se serish do të ketë vetëm takime dhe nuk do të kryejnë punë”.

“Politika duhet të largohet prej kësaj çështje. Që 23 vite njerëzit presin të dinë më shumë për popullin e tyre, ata as një hap s’e kanë bërë dhe deri më sot jemi të kënaqur zero për qind”, thotë Qerkini.

Politika jo që s’është larguar, por as nuk i ka ftuar shoqatat që merren me çështjen e të pagjeturve.

“Çka do të bëhet nesër nuk e kemi idenë, për takimet ne informohemi vetëm nga gazetarët, portalet. Pra, çka të presim ne nga kjo?”.

Instalacion me emrat e 1 mijë e 639 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Qerkini shton se, “politika është aq e rëndë dhe nuk po e fillon punën si duhet për zbardhjen e të pagjeturve dhe po shesin diplomaci evropiane për të mos thënë botërore”.

Për çështjen e të pagjeturve dhe zhvillimet në këtë drejtim, Albanian Post ka kontaktuar edhe udhëheqësin e Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, por që i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media të mërkurën e 20 korrikut është pyetur nëse janë afër realizimit të një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për personat e pagjetur, por që potencoi që nuk ka akoma diçka konkrete.

“Besoj që është çështje e perceptimit se sa jemi afër dhe larg marrëveshjes për të pagjeturit. Është e vërtetë që nuk jemi larg, por në të njëjtën kohë mbase është një çik e ngutur të themi se jemi afër, meqenëse përvoja e hidhur që e kemi me Beogradin zyrtar na bën të kujdesshëm. Sidoqoftë janë disa çështje aty që kanë mbetur pa dakordim”, deklaroi Kurti.

Gjatë qëndrimit në Ohër për samitin e “Open Balkan”, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç kishte pasur një bisedë telefonike me shefin për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Në këtë bisedë ishte paralajmëruar se Kosova dhe Serbia mund të nënshkruajnë një marrëveshje për personat e zhdukur gjatë luftës.

“Diskutuam të gjitha temat që janë të rëndësishme për qytetarët në Serbi dhe rajon, samitin e ardhshëm më 23, ku mora një ftesë shtesë nga Borell për të marrë pjesë. Në ditët në vijim pritet të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën për deklaratën rreth personave të zhdukur, për rrugën evropiane të Prishtinës dhe Serbisë dhe të gjitha reformat e nevojshme”, ka dekalruar Vuçiç.

Me 14 qershor, nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, në fshatin Leshan të Suharekës janë gjetur edhe disa mbetje mortore të cilat i takojnë periudhës së luftës së fundit në Kosovë 1998-99.

Antropologi, Ditor Haliti, i cili mori pjesë në këto gërmime në një bisedë për Albanian Post kishte sqaruar rrethanat në të cilat i kanë gjetur eshtrat.

Ilustrim: Gërmimet në Kizhevak

“Sot kemi dal me urdhëresë të gjykatës në fshatin Leshan të Suharekës, për gërmime vlerësuese pasi që para një muaji janë gjetur disa pjesë kockore të një individi së bashku me veshmbathje”.

“Gjatë hulumtimit dhe gërmimeve kemi gjetur edhe disa pjesë kockore të tjera të cilat i takojnë periudhës së luftës së fundit”.

Haliti, bëri të ditur se këto mbetje janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Këto mbetje skeletore janë dërguar në IML ku do të analizohen në mënyrë më të hollësishme”.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore