Lajme

Vazhdon gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së


Këtë të martë në ora 9:00 do mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës, të cilët po mbahet në paraburgim si të akuzuar për krime lufte.

Në fund të muajit të kaluar, për tri ditë radhazi ka dëshmuar ish-shefi i misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes.

Gjatë dëshmisë së tij, Brynes ka thënë se nuk ka parë kurrë prova që Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka qenë i përfshirë në ndonjë krim.

“Më lejoni të jem i qartë, ne kurrë nuk kemi parë prova që Shtabi i Përgjithshëm, Thaçi, Veseli, Ramë Buja, Xhavit Haliti e të tjerë kanë qenë të përfshirë apo kanë urdhëruar rrëmbime apo ndonjë krim që ka ndodhur në terren”, ka potencuar ai.

Po ashtu, Byrnes në Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmoi se është në dijeni që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte bërë thirrje për ndalje të dhunës ndëretnike.

Ndryshe, Byrnes udhëhoqi Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara i njohur si KDOM nga gushti i vitit 1998 deri në korrik të vitit 1999-s.

Ai ishte dëshmitar edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi ku u akuzuan e gjykuan udhëheqës shtetërorë e ushtarakë serbë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore