Lajme

Varianti Delta rikthen maskat në SHBA


Ilustrim

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rekomanduar që amerikanët e vaksinuar plotësisht t’i kthehen vendosjes së maskës në disa vende publike, për arsyeje të shqetësimeve që paraqet varianti më ngjitës i Coronavirusit, Delta.

Agjencia shëndetësore këshilloi që të gjithë nxënësit, mësuesit dhe stafi në kopshte dhe në shkolla të mbajnë maska, pavarësisht nga statusi i vaksinimit.

Drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, u shpreh se rekomandimi i ri bazohet në shqetësimet nga varianti Delta.

Derisa efikasiteti i vaksinave mbetet i lartë ndaj variantit Delta, “të dhëna të reja tregojnë se, në raste të rralla, disa njerëz të vaksinuar mund të jenë ngjitës dhe ta përhapin virusin te të tjerët”, tha Walensky.

Ky njoftim paraqet ndryshim të politikës së miratuar në muajin maj, kur miliona amerikanë të vaksinuar i hoqën maskat e fytyrës, përveç në transportin publik dhe spitale.

Udhëzimet e përditësuara për maskat deri tani në SHBA janë zbatuar vetëm në pjesët me nivele “të konsiderueshme dhe të larta” të transmetimit të Coronavirusit, në mënyrë që të ndalohej përhapja e variantit Delta dhe të mbrohen të pa vaksinuarit.

Studimet e fundit treguan se sasia virale e të infektuarve me variantin Delta është shumë më e madhe se te njerëzit e infektuar në valën e parë të Coronavirusit.

Ndërsa, rreth 49 për qind e popullsisë amerikane është plotësisht e vaksinuar dhe pothuajse të gjitha vdekjet dhe shtrimet në spital janë në mesin e njerëzve të pa vaksinuar.

Rreth 49 për qind e popullsisë amerikane është plotësisht e vaksinuar dhe pothuajse të gjitha vdekjet dhe shtrimet në spital janë në mesin e njerëzve të pa vaksinuar.

Javëve të fundit, qeveri të ndryshme shtetërore dhe lokale, kompani private, administratorë të spitaleve dhe universitete në të gjithë SHBA-në kanë rikthyer detyrimin për maska në ambiente të brendshme dhe kanë lëshuar urdhra për vaksinim.

Opera Metropolitane e Nju Jorkut njoftoi më 27 korrik se do të kërkojë që audienca dhe interpretuesit të vaksinohen plotësisht për sezonin e saj të ardhshëm, ndërsa gazeta Washington Post tha se të gjithë punonjësve të saj do t’iu kërkohet të paraqesin dëshmi të vaksinimit të plotë deri në mes të shtatorit.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, që ndjek të dhëna për pandeminë, Coronavirusi ka prekur mbi 195 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi katër milionë kanë vdekur.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 34 milionë të infektuar dhe mbi 611 mijë viktima.

Ditëve të fundit në SHBA,  janë duke regjistruar një mesatare shtatë ditore prej 57 mijë rastesh të infektuarve. Shifra paraqet rreth një të katërtën e infeksioneve nga kulmi ditor i janarit, por është pothuajse pesë herë më e lartë se niveli i fillimit të korrikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore