Shqipëria

“Varianti Delta po qarkullon gjerësisht në Shqipëri”


“Varianti Delta i coronavirusit tanimë po qarkullon gjerësisht në Shqipëri”.

Kjo është bërë e ditur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, në mbledhjen urgjente të zhvilluar pas konfirmimit të prezencës së variantit të COVID-19, i cili është shumë më i transmetueshëm se sa varianti fillestar i virusit vdekjeprurës.

Gjatë mbledhjes së Komitetit, u bë me dije se zonat në të cilat janë evidentuar mostra të variantit Delta janë: në Qarkun e Tiranës, Elbasanit, Kavajës, Gjirokastrës, Peqinit, Matit dhe Vlorës.

Ekspertët e Shëndetësisë u shprehën se “shumica e rasteve nuk kanë qenë të vaksinuar më parë dhe as nuk e kanë kaluar virusin”, përveç disa rasteve.

Ekspertja Silvia Bino sqaroi se “dy raste ishin persona të ardhur nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët ishin vaksinuar me AstraZeneca. Një person ishte vaksinuar në shtetin e Gjermanisë me Pfizer/Biontech, por që ishte brenda 10-ditëshit të parë të imunizimit dhe dy raste me dy doza të Coronavac”.

Megjithatë, asnjë nga rastet nuk ka patur nevojё pёr kujdes spitalor, por se ishin raste të lehta të sëmundjes.

“Masat lidhur me parandalimin e virusit nuk ndryshojnë”

Pёr sa u pёrket masave, lidhur me parandalimin e virusit, kryetarja e Komitetit Teknik tё Ekspertëve, Mira Rakacolli, u shpreh se nuk do tё ketё ndryshim.

Pra, do të mbetet në fuqi të njëjtat masa si më parë.

Megjithatë, ajo i këshilloi qytetarët që t’u drejtohen sa më shpejt qendrave tё vaksinimit, duke e quajtur si “rruga e vetme e shpëtimit”.

Po ashtu, u bëri thirrje njerëzve që t’i përdorin me rigorozitet masat në fuqi, të vetëkarantinohen, t’u drejtohen qendrave shëndetësore dhe të telefonojnë numrin zyrtar të emergjencave për COVID-19, atë 127, në rast të shfaqjes së simptomave të sëmundjes.

Ndër të tjera, kryetarja deklaroi se disa teste të reja të diagnostikimit të coronavirusit po ndërtohen nga organet kompetente në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare të Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve(CDC).

Ajo e vuri theksin te mosbërja e shpeshtë e testeve të antitrupave, pasi sipas saj nuk janë 100% efektive.

Sakaq, referuar pyetjes nёse do tё ketё njё program pёr ta bёrё vaksinimin tё detyrueshёm, kryesisht te grupmosha e tё rinjve, tё cilёt janё kanё qenё dhe nё radhёt e mё hezituesve, komiteti u përgjigj se nuk e shohin atë si njё rrugё suksesi, por besojnё te vullneti i lirё i tё rinjve.

Masat mbrojtёse hynё nё fuqi mё 1 korrik 2020. Maska ёshtё e detyrueshme vetёm nё ambientet e mbyllura. Nё ambientet e hapura përjashtim bёjnё vetёm hapёsirat ku ёshtё e pamundur tё ruhet distancimi social.

Ora policore ёshtё hapur me njё orё mё shumë. Nga një orë policore prej 23:00-06:00, ajo do të shtyhet në 24:00 dhe do të përfundojë në 06:00.

Nga këto lehtësime, nuk përftojnë klubet e natës, diskot dhe grumbullimet e mёdha. Ato do të vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa muzika do të lejohet deri në orën 23:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore