Lajme

Varga: Ideja e shkëmbimit të territoreve mund të ngritet sërish


Ilustrim

Boris Varga, politolog dhe gazetar serb, në një intervistë për agjencinë ukrainase të lajmeve, derisa komentoi rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, konsideroi se ideja e shkëmbimit të territoreve apo ripërcaktimit të kufijve mund të rikthehet sërish në agjendën e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve ekzistuese.

Ai kujtoi se presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, sugjeroi negocim mbi një parim të ri: një këmbim territoresh ku të dyja palët do të rishikonin kufijtë e tyre përgjatë vijave etnike duke transferuar pjesën me shumicë serbe të veriut të Kosovës në Serbi në këmbim të një pjese me shumicë shqiptare në Serbis, porse kjo ide nuk u mbështet nga Gjermania.

“Një ditë, çështja e shkëmbimit të territoreve mund të ngritet përsëri. Në vitin 2018 u hodh mbi tavolinë një ide joformale: u propozua që Serbia ta njohë Kosovën, por veriu i Kosovës do t’i kalonte Serbisë dhe Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës. Mirëpo, në atë kohë, kjo ide nuk u mbështet nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, por edhe nga Rusia”, tha Varga.

Megjithatë, nënvizoi ndër të tjera politologu dhe gazetari serb, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në fund e kuptoi se është më realiste që të krijojë “botën serbe” pa Kosovën. Varga shtoi se kjo ideologji shkatërruese serbe ndihet në të gjithë rajonin, por më shumë atje ku nacionalistët serbë kanë ndikim më të madh, posaçërisht në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Serbia gradualisht do të pajtohet me zhvillimin e shtetësisë së Kosovës, por do të kërkojë më shumë ndikim në Republikën Sërpska që është pjesë e Bosnjë e Hercegovinës dhe në Malin e Zi, ndonëse kjo e fundit është anëtare e NATO-s”, potencoi Varga, derisa komentoi edhe mbi çështje të tjera sikurse marrëdhëniet tradicionale serbo-ruse dhe agresionin në Ukrainë.

Në kushtet kur Kosovës i është bërë barrë e madhe pjesa problematike e veriut dhe kur themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është bërë “detyrë urgjente” dhe “hap ekzistencial” për Kosovën, atëherë për shumë ekspertë të politikave ballkanike, modeli apo ideja e ripërcaktimit të kufijve mes të dy vendeve del të jetë mënyra e vetme drejt normalizimit.

Ish-këshilltari i Reaganit propozon “shkëmbim territoresh” për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore