Lajme

Ushtrisë gjermane “i mungon gjithçka”, sipas parlamentares


Ushtrisë gjermane vazhdon t’i mungojë “gjithçka” pavarësisht angazhimit të kancelarit Olaf Scholz për të investuar masivisht pas sulmit rus në Ukrainë, deklaroi të martën komisionerja e Mbrojtjes në Bundestag.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

“Bundeswehr-it i mungon gjithçka dhe ka pasur edhe më pak që nga 24 shkurti 2022”, u shpreh me keqardhje Eva Högl gjatë prezantimit të raportit të saj vjetor për ushtrinë gjermane. “Kjo ka të bëjë me stërvitjet dhe gjithashtu pajisjet në operacion”, për të cilën ushtria gjermane “nuk është plotësisht funksionale”.

Sipas saj, Gjermania nuk ka tanke të mjaftueshme që të mund të stërvitet dhe më pas të ketë mjetet e nevojshme gjatë një beteje.

Högl shtoi se mungojnë varkat, anijet dhe avionët.

Ajo kujtoi se kancelari gjerman kishte paralajmëruar një investim prej 100 miliardë eurosh pak ditë pas sulmit rus, por në vitin 2022, “asnjë euro apo asnjë qindarkë nga ky fond special nuk është shpenzuar ende”.

“Kjo është arsyeja pse unë kërkoj që këto para të rëndësishme për Bundeswehr-in të arrijnë shpejt te trupat dhe që këtë vit disa gjëra të fitohen në mënyrë të prekshme”, mbrojti Eva Högl.

Komisionerja e Mbrojtjes kërkoi veçanërisht që qeveria të jepte shpejt urdhëra për të mbushur “boshllëqet” në pajisje, të theksuara nga dërgesat e tankeve, automjeteve të blinduara apo edhe municioneve në Ukrainë.

Edhe gjendja e kazermës mbetet “e vajtueshme”, thekson ajo.

“Ka mungesë ambientesh banimi, tualete pune, dushe të pastra, dollapë, ambiente sportive të brendshme, kuzhina trupash, ambiente stërvitore, depo municionesh dhe armatime, për të mos përmendur wifi”, tha ajo me detaje.

Sipas saj, këto investime janë edhe më të nevojshme, pasi fuqia punëtore u rrit me 12 për qind vitin e kaluar, për të kaluar shifrën 180 mijë.

Megjithatë, shkalla e braktisjes së shkollës gjatë gjashtë muajve të parë mbetet “shumë e lartë”, duke arritur në 21 për qind në sektorë të caktuar të ushtrisë.

Olaf Scholz tha në fund të shtatorit se donte që Gjermania të kishte “forcën e armatosur më të mirë në Evropë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore