Lajme

Ushtria kineze ndalon makinat Tesla


Agjencitë ushtarake kineze, për shkak të shqetësimeve që lidhen me të dhënat e regjistruara nga kamerat në automjete, kanë ndaluar makinat Tesla.

Sipas disa njerëzve të njohur me direktivën, të cilët kërkuan të mos identifikoheshin, në bazë të urdhrit të lëshuar nga ushtria, pronarët e këtyre makinave këshillohen t’i parkojnë mjetet e tyre jashtë pronës ushtarake.

“Kamerat me shumë drejtime dhe sensorët zanorë te makinat e Tesla-s mund të ‘ekspozojnë informacionin konfidencial ushtarak’”. Për këtë arsye, automjeteve u ndalohet qëndrimi brenda pronave ushtarake.

Tesla, si shumë prodhues të tjerë të automjeteve, përdor disa kamera të vogla, të vendosura kryesisht në pjesën e jashtme të automjetit, që ndihmojnë gjatë parkimit dhe funksioneve të vetëdrejtimit.

Shumica e modeleve Tesla kanë gjithashtu një kamera të brendshme, e cila mund të përdoret për të vëzhguar veprimet e shoferit.

Kamera e brendshme

Kompania me bazë në Kaliforni, e cila prodhon modelet 3s dhe Y në një fabrikë afër Shangait, nuk e ka mohuar faktin e një kamere të brendshme.

Shefi Ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, gjatë një postimi në Twitter, shkruante se kamera e brendshme shërben “në rast se dikush ju dëmton makinën, ju mund të kontrolloni videon”.

Që nga ajo kohë, Tesla ka filluar t’i përdorë kamerat e brendshme të makinave për monitorimin e atyre që quhen testues beta të sistemit autopilot të plotë (FSD).

Një përfaqësues i kësaj kompanie deklaroi se, asnjë nga kamerat e makinave në Tesla-s të shitura në Kinë, nuk është aktivizuar dhe nuk është pjesë e provës FSD.

“Politikat e privatësisë së Tesla-s janë në përputhje me ligjet kombëtare dhe rregulloret lokale në Kinë”, tha ai.

Marrëdhëniet e Tesla-s me Kinën

Kina, ku gjendet tregu më i madh në botë për makinat elektrike (EV), është çelësi për ambiciet e rritjes globale të Musk.

Prodhuesi i makinave pati mjaft mbështetje nga qeveria kineze, duke e ndërtuar fabrikën afër Shangait. Strategjia e Musk ka qenë qëndrimi pozitiv ndaj qeverisë, në kontrast me qasjen luftarake të SHBA-së.

Megjithatë, kohët e fundit, situata ka ndryshuar.

Tesla u thirr nga rregullatorët kinezë për çështje të cilësisë dhe sigurisë me makinat e saj. Kjo përfshinte zjarret e baterive dhe rritjen jonormale të shpejtësisë.

Prodhuesi i automjeteve u detyrua t’i kërkonte falje publike rrjetit shtetëror energjetik të Kinës. Kjo, pas një videoje ku shfaqej stafi duke fajësuar mbingarkesën energjetike për dëmtimet e automjeteve të klientëve.

Nuk është hera e parë që Tesla e gjen veten në qendër të polemikave për përdorimin e kamerave. Javën e kaluar, një grup hakerash hynë tek të dhënat e mbledhura nga Verkada Inc. i Silicon Valley.

Ata u futën në shumë lloje të ndryshme filmimesh, përfshirë disa brenda një depoje në fabrikën e Tesla-s në Shangai.

Hakerat deklaruan se kishin hyrë në 222 kamera në fabrikat dhe depot e Tesla-s. Ata treguan se shkelja e të dhënave u krye për të treguar lehtësinë me të cilën sistemet mund të depërtohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore