Lajme

Ushtarë për FSK-në, apo ushtarë politikë?


Ilustrim

“Konkursi i pranimit të rekrutëve të rijnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, nuk ka të bëjë me asgjë që lidhet me procesin e Zgjedhjeve Lokale, apo aspekte të tjera të karakterit politik”.

Kështu është deklaruar për Albanian Post, Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrin e Mbrojtjes kolonel Sefer Isufi, pasi që vendimi për hapjen e konkursit në periudhën e Zgjedhjeve Lokale për pranimin e mbi 800 ushtarëve të rijnë në FSK, u aludua si potez politik për përfitim të votave.

Sipas ushtarakut Isufi, konkursi në fjalë është hapur në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (2019-2028) të FSK-së, që nënkupton ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve njerëzore, materiale, mbështetjes operacionale, logjistike, infrastrukturore dhe sistemeve tjera të mbrojtjes.

“Konkursi aktual është hapur me qëllim të përmbushjes së kapaciteteve njerëzore të planifikuara  në përputhje me dinamikën e paraparë të PGJT-së, pra në përputhje me strukturën organizative dhe funksionale të FSK-së”, ka thënë ai për AP.

Kolonel Isufi, ka bërë të ditur se vendimi për pranimin e rekrutëve të rijnë ka ardhur si pasojë e analizës dhe vlerësimit profesional, si dhe objektivit kryesor për realizimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së.

Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrin e Mbrojtjes kolonel Sefer Isufi

Edhe për hulumtuesin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Skënder Perteshi, vendimi i Ministrisë së Mbrojtjes për pranimin e ushtarëve të rijnë në FSK nuk mund të lidhet me periudhën e Zgjedhjeve Lokale.

“Nuk mund të krahasohen Zgjedhjet Lokale me rekrutimin e ushtarëve të rijnë, kryetarët e komunave nuk kanë asnjë rol në nivelin qendror ose përgatitjen FSK-së”, ka thënë Perteshi për AP.

Pasi, sipas tij, procesi i pranimit të ushtarëve të rinj është proces afatgjatë dhe se konkurset janë shpallur më herët.

“Ka pasur rekrutim edhe vitin e kaluar dhe do të ketë edhe dy ose tre vitet e ardhshme, rekrutimi në fjalë është pjesë e planit afatgjatë të transformimit të FSK-së në një ushtri moderne”.

Skender Perteshi, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë

Të enjten e 21 tetorit, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kishte bërë të ditur se është hapur konkursi për rekrutimin e mbi 800 ushtarëve të rinj të FSK-së.

Ai madje kishte garantuar se përzgjedhja e ushtarëve të rinj do të jetë e drejtë dhe transparente.

“Si Ministër i Mbrojtjes, të gjithë të interesuarve, ju garantoj proces fer dhe transparent, dhe në përputhje të plotë me procedurat dhe kriteret, mbi parimin e mundësisë dhe shanseve të barabarta, ku do të zgjidhen vetëm ‘Më të mirët prej më të mirëve’”, kishte shkruar ai në Facebook.

Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit, nga gjithsejtë 38 komuna, 17 komuna kanë shënuar fitore të partive ndërsa 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë.

Kështu bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës katër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore në asnjë komunë në raundin e parë.

Raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokale në Kosovë pritet të mbahet pas një muaji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore