Lajme

“Uroj t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit”, Osmani uron Pashkët


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve, duke kërkuar që “t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, ta mbajmë edhe më afër e ta duam edhe më shumë njëri-tjetrin, për të mirën e përbashkët”.

“Sot besimtarët e krishterë kremtojnë festën e Pashkëve, e cila ngërthen në vete tolerancën, respektin, zemërgjerësinë dhe dashurinë. Pashkët ringjallin shpresën për ditë më të mira, ndaj në secilën familje mbretëroftë gëzimi”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, në këtë përcaktim ne kemi një prijatare e një model – “Nënë-Terezën, e cila përjetësoi dashurinë për njerëzit, duke u kujdesur për më të varfrit”.

“Për shumë mote, gëzuar Pashkët”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka ka uruar Pashkët besimtarëve katolikë e protestantë.

“Si simbol i ringjalljes dhe i ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen, Pashkët, mbi të gjitha, japin mësimin e fillimeve të reja dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të ndritur për secilin”, ka shrkuar Krasniqi nw Facebook.

“Së bashku, të shtyrë edhe nga rëndësia e kësaj dite, urojmë që mëshira e Zotit të gjejë të gjithë njerëzit, familjet, shoqëritë e kombet që janë duke kaluar nëpër sfidat e ditëve të sotme”.

Kreu i PDK-së ka theksuar se e ardhmja i takon mirësisë dhe dashurisë.

“Pashkë të bardha e të begata për të gjithë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar besimtarët katolik dhe Imzot Dodë Gjergjin me rastin e Pashkëve.

“Shqiptarët kanë traditë mijëvjeçare të Pashkëve, kësaj feste që na frymëzon për dashuri, paqe e solidaritet, dhe na rrëfen për ngadhënjimin e jetës mbi vdekjen, të së mirës mbi të keqen”.

Ai ka uruar edhe misionet diplomatike në Kosovë si dhe pjesëtarët e KFOR-it.

“Njëkohësisht, uroj të krishterët e misioneve diplomatike në Kosovë, pjesëtarët e KFOR dhe të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që shërbejnë në Kosovë”, ka përfunduar Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore