Lajme

UP-ja reagon pas sulmit ndaj profesoreshës Pupovci: Organet e rendit rastin ta trajtojnë me urgjencë


“Me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për sulmin fizik ndaj profesoreshës së Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi Pupovci”, thuhet në një komunikatë për media të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në reagim thuhet se aktet e tilla janë sjellje të papranueshme dhe të dënueshme, e të njëjtat cenojnë rëndë misionin e UP-së të lidhur me krijimin dhe zhvillimin e shoqërisë tolerante dhe dhënien e ndihmesës në procesin e promovimit të demokracisë qytetare.

UP-ja u ka bërë thirrje organeve kompetente që aktin në fjalë ta trajtojnë më urgjencë dhe ndaj sulmuesit të shqiptojnë masën adekuate ligjore.

“UP-ja thekson gatishmërinë që të bashkëpunojë ngushtë më organet përkatëse, për të mundësuar zbardhjen e rrethanave dhe trajtimin e rastit në tërësi”.

Hatixhe Latifi Pupovci

Zëdhënësja për media nga Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar për Albanian Post sulmin ndaj profesoreshës së mjekësisë Hatixhe Latifi-Pupovci, e cila është edhe bashkëshortja e zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovcit.

“Lidhur me këtë rast, rreth orës 18:30, policia ka shoqëruar në stacion policor për intervistim personin e dyshuar”.

Përmes një reagimi në Facebook, profesoresha ka theksuar se personi që e ka sulmuar është mjek me profesion.

“Është për keqardhje që ky prind, edhe vet mjek, nuk e kupton se sa me rëndësi është mbajtja e kriterit në një lëndë kyçe për formimin e çdo mjeku të ardhshëm. Por, zgjedh dhunën si rrugë për arritjen e qëllimit të vet”, ka shkruar Pupovci.

“Si duket specialisti i gjinekologjisë, dr. Arsim Gashi, nuk e ka herën e parë që përmes dhunës tenton t’i zgjidh problemet. Prandaj pres që ta merr dënimin e merituar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore