Lajme

Ukraina do t’i bashkohet NATO-s në planin afatgjatë, thotë Stoltenberg


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë me dije se Ukraina do të bashkohet me organizatën më të madhe ushtarake në botë, por kjo do të ndodhë në një plan afatgjatë.

Këtë, sipas Stoltenberg, e kanë dakordësuar të gjithë aleatët e NATO-s, gjatë një vizite që ai pati në kryeqytetin finlandez, Helsinki, lidhur me aplikimet e Finlandës dhe Suedisë për t’u bërë pjesë e aleancës.

Gjë kjo, që ende mbetet e bllokuar, në pritje të një vendimi nga Parlamenti turk dhe ai hungariz, lidhur me shqyrtimin e ratifikimit të marrëveshjes.

Do të jetë 9 marsi, data e përcaktuar për bisedime midis Turqisë nga njëri krah dhe Suedisë e Finlandës nga tjetri, sa i përket kërkesës që dy të fundit kanë bërë, për t’u bashkuar me aleancën e Atlantikut të Veriut, pas agresionit rus në Ukrainë.

Budapesti, debatin parlamentar mbi këtë çështje e ka planifikuar të ndodhë ndërkohë në javën e dytë të marsit, duke e shtyrë nga agjenda paraprake parlamentare, e cila e parashikonte më 6 mars.

Sa i përket Turqisë gjithsesi, problemi është edhe më i thellë, pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka theksuar disa herë se Stockholmi është strehë për terroristë të lidhur me Partinë Popullore Kurde PPK dhe atje ka disa prej tyre, të cilët ai i kërkon të ekstradohen dhe gjykohen më pas në Turqi.

Mirëpo Suedia, nuk e ka pranuar një gjë të tillë, duke parashtruar edhe se “gjëra të pamundura po i kërkohen nga Turqia”, duke vështirësuar kësisoj edhe procesin e ratifikimit të marrëveshjes me NATO-n.

Nga ana tjetër, Orban ka argumentuar se në Parlamentin hungarez duhen zhvilluar më shumë diskutime lidhur me këtë çështje dhe me gjasë, ato do të fillojnë në hyrje të marsit.

Por, derisa këto diskutime të zhvillohen, do të jetë periudha e fundit të marsit, ajo e cila mund të jetë vendimtare për votën.

Ndërsa, mbi Turqinë, varësia e votimit në Parlament i takon vetëm fryteve që bisedimet e radhës me Suedinë do të japin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore