Shqipëria

Udhëtarët do të futen në Shqipëri pa certifikata vaksinimi


Udhëtarët, të cilët do të futen në Shqipëri, nuk do t’u kërkohet certifikata e vaksinimit. Kjo masë hyn në fuqi nga dita e sotme.

Lajmin do e bënte të ditur Komiteti Teknik i Ekspertëve, në mbledhjen e 26 prillit.

“Duke filluar nga data 1 Maj 2022, për të gjitha udhëtimet drejt Shqipërisë, si në rrugë detare, tokësore apo ajrore, nuk kërkohet asnjë dokument spcifik në kushtet e Covid-19”.

Ky është njoftimi i përditësuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri.

Të gjithë udhëtarët të cilët lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, përveç respektimit të protokolleve të standardeve ndërkombëtare që kompanitë ajrore aplikojnë kudo në botë, duhet të zbatojnë disa rregulla.

Fillimisht, në ndërtesën e aeroporteve, do të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarët e tyre.

Së dyti, pasagjerët duhet të respektojnë distancën sociale 1.5 metra gjatë gjithë kohës së qëndrimit në aeroport.

Prioritet, sipas publikimit zyrtar, kanë personat e moshuar, personat në nevojë dhe familjet me fëmijë të mitur.

Ky vendim i autoriteteve shqiptare erdhi pas rënies së rasteve të reja dhe fataliteteve nga COVID-19 në Shqipëri.

Përveç heqjes së kësaj mase, Komiteti ka vlerësuar se në vendin tonë do të lejohet muzika pas orës 23:00 dhe rihapja e klubeve të natës.

Gjithashtu zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, njoftoi vaksinimin me dozë të katërt për personat mbi 60 vjeç.

“Virusi është akoma prezent, ndaj është e rëndësishme që qytetarët të jenë vigjilentë dhe të ndjekin këshillat për vaksinimin ndaj COVID-19”, ishte mesazhi përmbyllës i mbledhjes së komitetit.

Me vendimet e 26 prillit u hoqën të gjitha masat që filluan të vendoseshin dy vite më parë – kohë kur në Shqipëri u shfaq rasti i parë me COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore