Lajme

Udhërrëfyesi për Energjinë – Çka është përmbushur deri tani dhe cilët janë hapat tutje?


Ilustrim

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe kompania serbe “Drustvo Elektrosever D.O.O” kanë nënshkruar një marrëveshje komerciale për ofrimin e shërbimeve të distribucionit, ku përfshihet faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe.

Kontrata e KEDS-it dhe Elektroserverit në kuadër të procesit për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE) është mirëpritur nga ndërmjetësit evropianë, autoritetet kosovare dhe autoritetet serbe, duke e cilësuar si hap të rëndësishëm drejt zbatimit të Udhërrëfyesit për Energjinë të arritur në qershor të 2022-ës.

Elektroseveri është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë “Elektroprivreda Srbije (EPS)”, ndërsa licenën për operim në territorin e Kosovës në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative e ka marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në fund të muajit qershor të vitit të kaluar, kurse pas katër muajve ishte përmbushur edhe një pikë tjetër.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Elektroserveri kishin arritur marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë në tetor të vitit 2022, ndërsa Elektroseveri kishte dorëzuar te KOSTT-i të dhënat e konsumatorëve në pjesën veriore të Kosovës, ashtu siç edhe parashihej në udhërrëfyes.

Kjo do të thotë se Elektroserveri ka pranuar dhe ka nënshkruar marrëveshjen për aderim në rregullat e tregut të përcaktuara nga KOSTT-i, marrëveshjen për palën përgjegjëse për balancë elektrike, pra respektimin e kodit të tregut të energjisë elektrike dhe marrëveshjen për blerje të energjisë elektrike nga burimet e ripërtriteshme të energjisë eklektike.

Pra, përkundër se nuk ishin respektuar afatet kohore në disa raste, nënshkrimi i kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektroserverit nënkupton se tash janë përmbushur teknikalitetet e nevojshme për të vazhduar tutje drejt normalizimit të furnizimit energjetik. Megjithatë, kanë mbetur edhe disa pika tjera të papërmbushura deri te finalizimi.

Elektroseveri, siç parashihet në Udhërrëfyesin për Energjinë, brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike, do të marrë Kodin Identifikues të Energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga licenca, ndërsa KOSTT-i dhe KEDS-i do të kenë qasje në nënstacionin elektrik në Vallaç – një prej pikave e cila e furnizon me rrymë veriun.

Pastaj, KOSTT-i dhe KEDS-i, pas konsultimit me Elektroseverin, do të dorëzojnë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese, ndërsa pas dorëzimit të planit të investimit, do të aprovohen në parim plani, kostoja dhe humbja nga ZRRE-ja.

Elektroseveri mund të furnizohet me energji elektrike nga tregtarët e ndryshëm, përfshirë Serbinë, siç mund të furnizohen edhe të gjitha palët e tjera të cilat janë të licencuar nga ZRRE-ja, porse nuk mund të prodhojë rrymë. Aktiviteti primar i kësaj kompanie është tregtia e energjisë elektrike, kurse aktiviteti sekondar është riparimi i pajisjeve elektrike.

Zbatimi i Udhërrëfyesit për Energjinë përmendet si suksesi më i madh në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së, përkundër se zyrtarët evropian kishin shprehur shqetësimin lidhur me vonesat dhe teknikalitetet në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë mes Kosovës dhe Serbisë.

Emisari Special i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pa dhënë shumë detaje, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të shtunën, ka njoftuar se KEDS-i dhe Elektroserveri kanë nënshkruar një kontratë komerciale për energjinë elektrike – një ndër elementet kryesore të Marrëveshjes për Energjinë të arritur në vitin 2013 dhe 2015.

“E mirëpres nënshkrimin e kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ky është hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Udhërrëfyesit për Energjinë dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar diplomati sllovak në platformën sociale “X” të shtunën, por nuk ka treguar si, ku dhe kur është nënshkruar kontrata në fjalë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se zgjidhja mbi shpërndarjen dhe furnizimin e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës, përveç se një ndër hapat e parë drejt normalizimit të furnizimit energjetik, sëkëndejmi i jepet fund praktikës së deritanishme të refuzimit të serbëve lokalë për të paguar faturat e energjisë elektrike.

“Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës. Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet e saj, andaj dhe presim e kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër, për ta përfunduar këtë proces”, ka thënë zëvendëskryeministri kosovar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shprehur i kënaqur për arritjen e marrëveshjes, derisa ka veçuar dy aspekte, sipas tij, shumë të rëndësishme. Ai ka thënë se kontrata e nënshkruar përjashton mundësinë që serbët të mbeten pa energji elektrike, ndërsa ka pretenduar se nuk paragjykohet çështja e pronësisë mbi sistemin energjetik.

“Jemi të kënaqur që KEDS-i dhe Elektroseveri kanë arritur marrëveshje, duke shmangur kështu çdo mundësi që populli në veri të Kosovës të mbetet pa rrymë, kjo është në fund të fundit gjëja më e rëndësishme për ne. Për ne ka qenë një çështje tjetër e rëndësishme – ajo e pronësisë, në mënyrë që të mos paragjykohet çështja e pronësisë dhe ia kemi arritur”, ka thënë ai.

Kjo marrëveshje synon të normalizojë shpërndarjen, furnizimin, dhe faturimin e energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës të banuara me serbë etnikë – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Serbët në pjesën veriore nuk kanë paguar rrymë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ndërsa tani e tutje kjo çështje pritet të zgjidhet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore