Gjykata Speciale

“UÇK-ja s’ka urdhëruar rrëmbime dhe krime”, “Thaçi bëri thirrje kundër dhunës ndëretnike” – krejt çka dëshmoi Byrnes në Speciale


Foto: Albanian Post

Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara i njohur si KDOM dhe diplomati, Shaun Byrnes, ka përmbyllur dëshminë e tij këtë të mërkurë pasi u “rrëfye” për katër ditë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte.

Diplomati amerikan ka thënë se nuk ka parë kurrë prova që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë i përfshirë në ndonjë krim siç pretendon organi i akuzës.

“Më lejoni të jem i qartë, ne kurrë nuk kemi parë prova që Shtabi i Përgjithshëm, Thaçi, Veseli, Ramë Buja, Xhavit Haliti e të tjerë kanë qenë të përfshirë apo kanë urdhëruar rrëmbime apo ndonjë krim që ka ndodhur në terren”, theksoi ai.

Ai është pyetur nga trupi gjykues për një komunikatë që pretendohet se është lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe mban numrin 63 dhe datën 27 nëntor 1998.

Por, Byrnes shtoi se këtë dokument nuk e kishte parë më herët, përveç së fundi në Hagë.

“Unë mund të ju them këto; në thelb ky është dokument politik i cili ka për synim ta vendos në pozitë shumë të favorshme Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në sytë e ndërkombëtarëve. Në veçanti për misionin e OSBE-së që ishte duke u krijuar”, potencoi ai.

Ndërkaq i pyetur nga gjyqtari Guenawl Mettraux se a thuhet në këtë dokument që Shtabi i Përgjithshëm ka vendosur për lirimin e gazetarëve të Tanjugut dhe dy aktivistëve të LDK-së, dëshmitari ka pohuar një gjë të tillë.

“Kështu thuhet në dokument”, ka deklaruar Byrnes, duke shtuar se sipas dokumentit ky lirim kishte ndodhur sipas një amnistie.

Po ashtu, gjatë dëshmisë së tij, ai ka treguar se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin të angazhuar për të bërë armëpushimin.

“Në veçanti udhëheqësit e shtabit të përgjithshëm dhe Trojka ishin absolutisht të angazhuar që ta bënin armëpushimin që të funksiononte, megjithatë nga ana tjetër ne ishim të shqetësuar për faktin se serbët do të nisnin tjetër sulm në pranverë”.

Byrnes pohoi se është e drejtë të thuhet që UÇK-ja në fakt se arriti që ta këtë asnjëherë një strukturë të unifikuar të ushtrisë.

“Xhavit Haliti ishte një prej personave të tjerë edhe shumë të tjerë syresh të cilët udhëheqja e LPK-së kishte vendosur që t’i rikthente në rajon në mënyrë që të shfrytëzonin këto mundësi që në njëfarë forme të krijonin njëfarë udhëheqje, udhëheqje politike”.

Ai e konfirmoi se është në dijeni që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte bërë thirrje për ndalje të dhunës ndëretnike.

Ndryshe, Byrnes udhëhoqi Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara i njohur si KDOM nga gushti i vitit 1998 deri në korrik të vitit 1999-s.

Po ashtu ishte dëshmitar edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi ku u akuzuan e gjykuan udhëheqës shtetërorë e ushtarakë serbë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore