Sport

U tërhoq nga futbolli, Bale mban fjalim para ndeshjes së kombëtares


Gareth Bale e përfundoi karrierën futbollistike në moshën 33-vjeçare, teksa vendosi që të përshëndetej edhe me tifozët e kombëtares së tij.

Në ndeshjen kualifikuese për Euro 2024 ku Uellsi u përball me Letoninë në shtëpi, Bale mori mikrofonin para fillimit të ndeshjes dhe iu drejtua tifozëve.

Ish-lojtari i Real Madrid theksoi se ishte një nder që përfaqësoi kombëtaren ndërsa falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme.

“Dua të theksoj se për mua ishte një nder të përfaqësoja Uellsin dhe të luaja para tifozëve më të mirë në botë. Më keni mbështetur mua dhe familjen time në kohë të mira dhe të vështira, ndaj është e pamundur t’ju falënderoj aq sa duhet”, tha Bale.

“Të luaja para jush ka qenë kënaqësia më e madhe, do të më mungoj shumë kjo pjesë. Por, e di se ju do të jeni aty për të mbështetur djemtë.

“Ju tifozët jeni Uellsi dhe bëni gjithçka speciale. Tani e tutje do të jem një tifoz si ju duke brohoritur për kombëtaren dhe shpresoj të takohemi sërish në të ardhmen”, tha mes tjerash ish-ylli i Real Madrid-it.

Kujtojmë që Bale është lojtari me më së shumti paraqitje te kombëtarja e Uellsit, me 111 ndeshje zyrtare, prej të cilave ka shënuar 41 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore