Aplikacione

Twitter-i nuk do t’i rikthejë llogaritë e ndaluara deri pas zgjedhjeve afatmesme në SHBA


Në Twitter, llogaritë e bllokuara – përfshirë atë të ish-presidentit amerikan Donald Trump – nuk do të rikthehen.

Të paktën deri pas zgjedhjeve afatmesme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas pronarit të ri të platformës, Elon Musk.

Kjo deklaratë e tij ka ardhur menjëherë pas një hulumtimi që ka zbuluar se Twitter-i ka hequr gjashtë rrjete dezinformimi të lidhura  me Kinën dhe Iranin që kishin postuar për zgjedhjet e 8 nëntorit.

Kçshtu, Musk ka ravijëzuar se kushdo që ndalohet nga platforma për shkeljen e rregullave të përmbajtjes, nuk lejohet të rikthehet derisa të merret një vendim për ta bërë këtë.

Dhe se procesi deri në atë kohë pritet “të zgjasë të paktën edhe për disa javë të tjera”.

Ai ka shtuar po ashtu se këshilli i moderimit të përmbajtjes në Twitter i shpallur së fundmi, i cili do të gjykojë për rivendosjet dhe vendimet e përmbajtjes, do të përfshijë anëtarë të komunitetit të të drejtave civile dhe grupe që përballen me dhunë të nxitur nga urrejtja.

Ndër llogaritë e bllokuara në Twitter përfshijnë edhe atë të Trump-it, i cili u hoq nga platforma pas trazirave të Capitol-it më 6 janar 2021.

Gjithashtu llogarinë personale të kongresmenes republikane Marjorie Taylor Greene dhe teoricienit konspirativ Alex Jones.

Sakaq, hulumtimi i fundit nga Partneriteti i Integritetit Zgjedhor, një koalicion organesh që lufton ndërhyrjen digjitale në zgjedhje, ka dhënë detaje të gjashtë rrjeteve të lidhura me Kinën dhe Iranin.

Ato kishin tentuar të manipulonin platformën Twitter në prag të zgjedhjeve afatmesme.

Të gjashtë rrjetet, të cilat janë hequr tani nga Twitter-i, dukeshin sikur vepronin jashtë SHBA-ve.

Ato kanë postuar706 mijë tweet-e, megjithëse angazhimi dukej i parëndësishëm, me pothuajse 600 mijë nga ato tweet-e që fituan zero pëlqime.

Tre nga llogaritë ishin të lidhura me Iranin dhe të fokusuara në kandidatët e majtë progresistë, ndërsa tre llogaritë e lidhura me Kinën përfshinin përmbajtje rreth komenteve të politikanëve amerikanë për Tajvanin dhe Kinën.

Hulumtimi u bazua në të dhënat e lëshuara nga Twitter-i dhe u krye nga Laboratori i Kërkimeve Ligjore Digjitale dhe Observatori i Internetit i Universitetit Stanford.

“Pavarësisht numrit relativisht të vogël të angazhimeve që këto rrjete arritën, operacione të tilla si këto përforcojnë se ndërhyrja e huaj është në vazhdim dhe se ekipet e integritetit të platformës që punojnë së bashku me studiuesit për të gjetur, vlerësuar dhe ndërprerë këto operacione manipuluese, mbetet kritike për ndalimin e tyre ndërkohë që janë ende të vogla”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore