Aplikacione

Twitter-i ndalon komedianen Kathy Griffin për imitimin e Musk-ut


Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk, ka njoftuar ndalim të menjëhershëm të llogarive që pretendojnë të jenë dikush tjetër pa u shpallur si faqe për parodi.

Lëvizja ka rezultuar në heqjen e një llogarie “Elon Musk” të mbajtur nga komediania Kathy Griffin, e cila kishte ndryshuar emrin e llogarisë së saj për t’u përputhur me atë të Musk-ut.

“Në vijim, çdo Twitter që merret me përfshirjen në imitim pa specifikuar qartë ‘parodinë’ do të pezullohet përgjithmonë”, ka shkruar ai në Twitter.

Po ashtu ka shtuar se nuk do të kishte “asnjë paralajmërim” përpara se të vendosen pezullimet dhe se çdo ndryshim i emrit do të rezultojë në humbjen e shenjës identifikuese të profilit të verifikuar.

Sipas Musk, rregulli i parodisë do të ishte një kusht për t’u regjistruar në shërbimin e rinovuar të abonimit të platformës, Blue.

Përdoruesit që paguajnë 7,99 dollarë në muaj për shërbimin do të përfitojnë shenjën identifikuese, si dhe mundësinë për të postuar video më të gjata dhe për të marrë gjysmën e më shumë reklamave.

Paçka se Musk ka premtuar se përdoruesit do të ishin në gjendje të parodizonin llogaritë e tjera nëse do të shfaqeshin qartë si të tilla, disa janë ndaluar pavarësisht se i etiketuan në mënyrë eksplicite llogaritë e tyre të reja si faqe parodie.

Twitter-i e ka vonuar hapjen e procesit të ri të verifikimit deri pas zgjedhjeve afatmesme në SHBA, mes frikës se llogaritë false mund të përhapen.

Dhe rreziku qëndron në faktin se këto llogari false “të verifikuara” që mund të hapen mund të jenë në emër të politikanëve dhe mund të përhapin dezinformata.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore